ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nëse keni blerë një apartament në një pallat të ri, nuk do t’ju duhet të prisni më kolaudimin e objektit për të bërë lidhjen e energjisë elektrike apo të

**Kolaudimi nuk do të jetë më pengesë për dritat dhe ujin në pallatet e reja**
Blerësit e apartamenteve në ndërtimet e reja nuk do të detyrohen ta presin më certifikatën e përdorimit të objektit për të kryer lidhjet me energjinë elektrike dhe me ujin. Projektligji i ri është gati dhe synon thjeshtimin e procedurave, në mënyrë që qytetarët të hyjnë më shpejt në banesat e tyre.
Nisma vjen vetëm dy javë pasi Shoqata e Ndërtuesve e ngriti këtë shqetësim para kryeministrit Rama. Kërkesa e ndërtuesve ishte e qartë: certifikata e përdorimit të mos jetë më kusht për t'u lidhur me rrjetin e energjisë elektrike dhe të ujit. Deri më sot, kjo procedurë ka penalizuar shumë familje.
Ervin Demirxhiu, ekspert i pasurive të paluajtshme, e vlerëson nismën si hap pozitiv. “Sigurisht që është një nismë e mirë për t’i dhënë mundësi çdo qytetari që ka blerë pronën të futet dhe të akomodohet. Janë ata qytetarë që e kanë marrë për investim, por ka edhe nga ata që e kanë jetike, pra paguajnë qira diku tjetër, ndërkohë që paguajnë edhe kredi. Kështu që, pse të mos futen?!”, tha ai.
Sipas ekspertëve, projektligji u jep fund vonesave administrative që kanë mbajtur në pritje shumë njerëz. Pronën e kanë blerë, por nuk mund të zhvendosen në të.
Demirxhiu vëren se vonesat nuk kanë ardhur gjithmonë nga ndërtuesit, por nga burokracia e shtetit. “Kolaudimi i objektit ka pasur raste që është vonuar shumë, jo për shkak të ndërtuesit, por për shkak të burokracive të shtetit. Ka pasur raste, faktikisht, që për shkak të moskolaudimit të objektit janë lënë pa u bërë edhe lidhjet e dritave apo të ujit, duke lënë jashtë qytetarët”, shtoi ai.
Projektligji nuk kufizohet vetëm te apartamentet e pallateve të reja. Ai u vjen në ndihmë edhe qytetarëve që ndërtojnë vetë banesat e tyre private. Nisma është e deputetes Besa Spaho dhe tashmë ka marrë miratimin e Komisionit të Ligjeve.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.