ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, sugjeroi që kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës të dalë nga votimi në shesh.

**Alimehmeti: kandidatin e opozitës për Tiranën ta zgjedhë sheshi, jo sondazhet apo primaret**
Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, mendon se emri i kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës duhet të dalë nga votimi i qytetarëve në shesh. Idetë e tij ai i paraqiti gjatë një interviste në studion e “Off the Record”, emision i drejtuar nga Andrea Danglli në A2CNN.
Sipas Alimehmetit, mekanizmi duhet të caktohet në tryezën e opozitës dhe jo përmes sondazheve apo primareve. Rruga më demokratike dhe më transparente, vuri në dukje ai, është pikërisht ajo që kalon nga vullneti i banorëve të kryeqytetit.
“Interesi publik prevalon ndaj interesit vetjak. Nevojitet një konsensus, duhet përfaqësim i komplet spektrit opozitar dhe duhet të përfaqësohen të gjithë. Konsensusi pastaj cakton mekanizmin që sjell një emër të përveçëm në fund. Unë vetë kam sugjeroj që kur të mblidhet tavolina, të vendoset që të votojë sheshi kandidatin që do. Opozita, me konsensus, të mbështesë kandidatin që do të vendosë sheshi. Rrugë më demokratike dhe më transparente nuk mendoj dot. Ata që banojnë në Tiranë të shkojnë dhe të shprehen. Më pas, ne t’i qëndrojmë atij vullneti”, tha Alimehmeti.
Ai shtoi se nuk e ka aspak problem të mbështesë atë emër që do të dalë nga ky proces. Për të, interesi publik duhet të vihet mbi atë vetjak dhe sa më shumë njerëz ta kuptojnë këtë, aq më mirë do të jetë për të gjithë.
“Unë nuk e kam problem fare të mbështes atë që del. Sepse interesi publik prevalon mbi interesin vetjak. Sa më shumë veta ta kuptojnë këtë, aq më mirë do të bëhet për të gjithë ne. Nëse nuk e kuptojnë këtë, atëherë do të fitojë më i forti. As sondazhe, as primare, por mendimi i sheshit”, shtoi Alimehmeti.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.