ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nga Gjon Ndrejaj Kam punuar mbi 45 vjet në sektorin e financës dhe auditimit dhe për një pjesë të konsiderueshme

Përvoja ime prej më shumë se katër dekadave në sektorin e financave dhe auditimit, duke përfshirë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Auditimit, më ka dhënë njohjen e drejtpërdrejtë me rregullat e hekurt të Thesarit të Shtetit. Kjo logjikë nuk lejon asnjë transaksion të kalojë pa qenë plotësisht në përputhje me ligjin. Situata aktuale mes Ministrisë së Financave dhe gjyqësorit, si dhe brenda vetë këtij të fundit, është e panjohur në përmasat e saj. Prandaj, kur ndjek debatin e ashpër rreth pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, më duket se analistët shpesh po kërkojnë fajtorin në vendin e gabuar. Në këtë kontekst, nuk synoj rolin e arbitrit apo të jap një verdikt. Synoj të shpjegoj, nga këndvështrimi i financave publike dhe ligjshmërisë buxhetore, se ku mbarojnë kompetencat e secilës palë.
Gjithçka fillon nga vendimi nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim përcaktoi formulën e re të llogaritjes së pagave për magjistratët. I dha Kuvendit një detyrim të qartë dhe të prerë: miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore deri më 31 korrik 2026. Afati ishte i qartë e i paevazueshëm. Pas kësaj date, formula e vjetër e pagave nuk kishte më vlefshmëri juridike. Megjithatë, Kuvendi nuk e përmbushi këtë detyrim. Projektligji u depozitua, por nuk u miratua brenda afatit. As sot nuk është miratuar. Pikërisht këtu lindi vakumi ligjor që bllokoi sistemin. Pavarësisht nga rezervat e mundshme, vendimi i Gjykatës Kushtetuese qëndron. Habia ime vjen nga ngjarjet që e pasuan atë. "Zjarrit" i hodhi benzinë vendimi i përbashkët i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në fund të gushtit 2026. Këto institucione vendosën rritjen e pagës referuese bazë të magjistratëve në 222.425 lekë. Shuma ishte nga 156.800 lekë që ishte më parë, plus 14 mijë lekë shtesë për nivelin e kualifikimit. Ky vendim erdhi në fund të katërmujorit të dytë buxhetor. Në përvojën time profesionale, është ndër aktet më të pazakonta që kam hasur. Më kujtohet një thënie e një shkencëtari të njohur: "Përse kirurgut nuk guzon kush t’ia prekë bisturinë, ndërsa ekonomistit ia rrëmbejnë lapsin nga dora dhe me lehtësi provojnë të bëjnë operacione të guximshme?"
Këto vendime, në mungesë të bazës ligjore dhe buxhetore të nevojshme, janë të kontestueshme juridikisht. Ata nuk mund të prodhojnë efekte financiare pa ndërhyrjen e ligjvënësit. Arsyeja është e thjeshtë. Piramida e pagave në Republikën e Shqipërisë është ekskluzivitet i Kuvendit dhe i askujt tjetër.
Për mirëkuptim, ndjej të nevojshme të shpjegoj rolin bazë të Buxhetit dhe të Thesarit. Sipas Ligjit nr. 9936/2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor”, buxheti përkufizohet si “tërësia e të ardhurave, shpenzimeve dhe financimeve të qeverisjes qendrore e vendore... të cilat miratohen me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë”. Prej këtij përkufizimi kuptohet menjëherë se buxheti, ligji dhe Kuvendi janë një trinom i pandarë.
Andaj, buxheti nuk mund të konsiderohet një "thes" i hapur në mes të rrugës. Çdokush mund të fusë dorën aty. Asnjë arkë nuk mund të përdoret sipas dëshirës nga njësitë shpenzuese. Buxheti është një shumë parash e përcaktuar rigorozisht me ligj. Ajo shpenzohet nga Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme sipas programeve buxhetore (rreth 85 të tilla). Shpenzimi bëhet sipas natyrës ekonomike (paga, investime, transferta etj), dhe në një kalendar kohor të përcaktuar (vjetor ose katërmujor). Ky klasifikim nuk është burokratik, por shpreh prioritetet e shtetit. Menaxhon kontributin e taksapaguesve dhe mban ekuilibrat makroekonomikë.
Sistemi i Thesarit, nga ana tjetër, është "tërësia e rregullave dhe e procedurave... e ngarkuar për ekzekutimin e buxhetit". Për këtë funksion, Thesari kryen një kontroll parandalues të detyrueshëm përpara çdo pagese. Ai nuk është një arkë pasive, por një filtër aktiv. Të gjitha shpenzimet, qoftë të qeverisë qendrore apo vendore, "kryhen me autorizimin dhe pas kontrollit nga Degët e Thesarit". Pa këtë autorizim, asnjë pagesë nuk mund të kryhet.
Për më tepër, pagesa duhet të jetë e ligjshme. Thesari "administron paratë publike dhe mund të paguajë vetëm detyrime të mbështetura në ligj". Ky është kufiri i tij themelor. Ai nuk mund të paguajë diçka pa bazë të qartë ligjore. Kjo e shpjegon pse Thesari njihet si "gardiani" i buxhetit. Detyra e tij është të ruajë shpenzimin e saktë të parave publike. Ai nuk është një gjykatë e dytë. As ka mandat të vlerësojë drejtësinë e një vendimi gjyqësor apo të interpretojë kushtetutshmërinë e një akti. Kontrolli i tij është mjetesh dhe procedurash, jo drejtësie.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.