ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me deputetin Erion Braçe prezantuan sot në Komisionin e Ligjeve projektligjin për

**Projektligji për sponsorizimet në Komisionin e Ligjeve, Balla: Pjesa e luanit të shkojë për sportin**
Një mekanizëm i ri financimi për sportin, artin dhe kulturën, i ndërtuar mbi angazhimin e sektorit privat, u prezantua sot në Komisionin e Ligjeve. Projektligjin për sponsorizimet e paraqitën kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputeti Erion Braçe, të cilët e kanë hartuar si nismë të përbashkët.
Sipas propozimit, bizneset do të kenë mundësi të transferojnë 30% të tatimfitimit për të mbështetur këta tre sektorë. Pjesa dërrmuese e financimit, nënvizoi Balla, duhet t’i dedikohet sportit.
“Sporti shqiptar ka nevojë për mbështetje. Ne nuk pretendojmë që hallet e sportit mbarojnë me këtë ndërhyrje. Në aktet nënligjore që do të bëjë ministria, qofshin vendime të Këshillit të Ministrave apo udhëzime, duhet të jetë shumë e qartë që pjesa e luanit duhet t’i kalojë sportit. Brenda kësaj pjese duhet të kemi parasysh edhe një preferencë të posaçme për sportin e futbollit. Të gjithë këtu në këtë sallë, qoftë majtas, qoftë djathtas, përfaqësojmë zonat tona, bashkitë tona dhe në secilën prej tyre kemi ekipet zinxhir të futbollit. Të gjithë duam që të ketë një aktivitet sportiv të mbështetur financiarisht”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së.
Një tjetër propozim i tij lidhet me tavanin financiar të parashikuar nga qeveria, që ai kërkoi të rritet nga 2 miliardë në 3 miliardë lekë për vitin e parë të zbatimit të skemës.
“Lajmi i mirë është që më në fund ne arrijmë të krijojmë një skemë financimi. Viti i parë i aplikimit do të jetë viti 2027, efektet financiare do të reflektohen në vitin 2028, sepse tatimfitimi raportohet në vitin pasardhës. Mirë do të ishte që tavani, të paktën nëse nuk e heqim fare, të shkonte nga 2 miliardë në 3 miliardë lekë, si fillim për vitin e parë. Megjithatë, është një çështje që do ta shohim deri në seancë plenare”, u shpreh Balla.
Gjatë fjalës së tij, ai ndaloi edhe te ndryshimet që qeveria ka bërë në tekstin e projektligjit. Fokusi ka qenë dokumentimi i kontratave, raportimi mbi mënyrën se si përdoren fondet dhe verifikimi i sponsorizimeve. Qëllimi, sipas tij, është të parandalohen abuzimet fiskale.
Balla përmendi më pas investimet në infrastrukturën sportive, modernizimin e stadiumeve dhe ndërtimin e palestrave në shkollat e vendit, të cilat i quajti provë të angazhimit për zhvillimin e sportit.
“Të mos harrojmë që falë kësaj qeverie sot në Shqipëri kemi disa impiante sportive, të cilat as nuk mund t’i imagjinonim vetëm pak vite më parë. Këtu i referohem impiantit sportiv ‘Loro Boriçi’ në Shkodër, impiantit sportiv ‘Elbasan Arena’, impiantit sportiv në Kukës dhe pastaj pjesës që lidhet me palestrat. Në vitin 2013 kishe 17 palestra në gjithë Shqipërinë, sot ke mbi 700 palestra në shkollat e Shqipërisë. Kështu që është angazhimi i kësaj qeverie për ta mbështetur sportin dhe kulturën”, theksoi Balla.
Në mbyllje, kreu i grupit parlamentar të mazhorancës bëri thirrje që nisma të mbështetet pa u ndalur te ndasitë politike. Sporti, tha ai, është një e mirë e përbashkët dhe kërkon vëmendjen e angazhimin e të gjitha forcave politike.
“Mendoj që kjo është një nismë që duhet t’i tejkalojë krahët politikë. Të mos harrojmë që në fund të fundit këto janë para nga buxheti i shtetit. Pra, qeveria ka vendosur që disa para që do t’i arkëtonte nga tatimfitimi t’ia kalojë sportit, artit dhe kulturës”, deklaroi Balla.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.