ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nga Ylli Pata Prej disa ditësh po përsëritet i njëjti argument: kandidati për Bashkinë e Tiranës duhet të dalë nga protesta e flamingove dhe, më pas, nga ajo e maskave që dogji kryeqytetin.

Nga Ylli Pata
Prej disa ditësh po përsëritet i njëjti argument: kandidati për Bashkinë e Tiranës duhet të dalë nga protesta e flamingove dhe, më pas, nga ajo e maskave që dogji kryeqytetin.
Tezë boshe. Pa sens. Dhe, mbi të gjitha, apolitike.
Protesta e flamingove, bashkë me derivatet e saj, nuk ishte një protestë tiranase. Nisi për Zvërnecin dhe u shtri në një fushë politike të gjerë, më të madhe se vetë politika shqiptare.
"Revolucioni i Flamingove" nuk ishte lëvizje politike. Ishte aksion iruptiv, i ndërmarrë për të rrëzuar Edi Ramën.
Mosarritja e këtij objektivi nuk e kthen atë aksion në lëvizje politike. Një lëvizje e nisur kërkon domosdoshmërisht një proces, dhe ky proces nuk lidhet me Tiranën. Asnjë ditë protesta nuk foli për kryeqytetin. U fol për Lindjen e Mesme, për Azinë e Vogël, për hebrenjtë, për Shtetet e Bashkuara. Për jetën urbane në Tiranë, asnjë fjalë.
Ata që kërkojnë ta nxjerrë kandidatin vetë protesta e bëjnë këtë sepse u mungon lidhja politike. Kërkojnë një ganxhë ku të varen.
Sepse beteja e Tiranës është krejt tjetër. Është politike, madje politikë e nivelit të lartë.
Kryeqyteti nuk është thjesht zona me zgjedhësit më të shumtë. Është edhe hapësira ku përputhet projekti politik i mazhorancës së Edi Ramës. Modeli i një metropoli që zhvillohet në mënyrë ekcentrike, mbi një plan të fortë ndërtimesh e biznesi. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një model politik.
Gjatë këtyre viteve ai model ka marrë kritika të shumta. Si plan që prishi qytetin e vjetër, si plan që trazoi jetën e tiranasve, si plan që solli një gjendje që njerëzit nuk e pëlqejnë.
Fabul i diskutueshëm, sepse terrenet i japin vetë pronarët, ndërsa pjesa më e madhe e pronës është private. Gjithsesi, ky model — Tirana e sotme, një metropol frenetik e vibrant — kërkon përgjigje. A ka alternativë? Dhe si e duan ata që e kundërshtojnë? Fakti mbetet se te çerpiçi dhe lagjet e vjetra nuk ka kthim pas. Kryeqyteti ndodhet në një fazë tjetër.
Pikërisht këtu ia vlen debati, qoftë edhe në nivel normal, pa e ngritur akademikisht. Ndërtimet në qendër, zhvillimet në periferi, agresiviteti i fshatrave turistikë. Tirana ka ndryshuar totalisht. Qendra është zona me më shumë banesa me qira ditore, ndërsa shumica e popullsisë banon në periferi. Gjeopolitika elektorale ka pësuar një ndryshim thelbësor.
Partitë, grupet apo lëvizjet që kanë qenë protagonistë në politikën e kryeqytetit mund të vijnë natyrshëm, me vizionin që kanë për Tiranën.
Protesta, nga ana tjetër, flet prej muajsh për gjëra që s'kanë lidhje me Tiranën. Objektivi i saj ishte rrëzimi i Edi Ramës dhe i qeverisë së tij. Nëse nuk e arriti, me çfarë të drejte morale rihyn në politikë një protestë që dështoi? Përkundrazi, ajo duhet të tërhiqet dhe të reflektojë mbi këtë dështim. Madje me një internim të gjatë, sepse përdori edhe mjete jo demokratike: dhunën dhe djegien e Tiranës.
Fushata për kreun e bashkisë është politike. Ajo nuk pranon që në skenë të dalin kandidatë të atyre që dogjën qytetin.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.