ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nga Mero Baze Të gjithë po pyesin se si Partia Socialiste do ta fitojë Tiranën. Emrat po kalojnë në skaner një nga një. Ogerta Manastirliu e kaloi fazën e biografisë pak më herët, sepse u propozua qysh në vitin 2025. Tani radhën e ka Ervin Demo. Ndoshta do të dalë edhe ndonjë emër tjetër. Dhe të gji

Nga Mero Baze
Të gjithë po pyesin se si Partia Socialiste do ta fitojë Tiranën. Emrat po kalojnë në skaner një nga një. Ogerta Manastirliu e kaloi fazën e biografisë pak më herët, sepse u propozua qysh në vitin 2025. Tani radhën e ka Ervin Demo. Ndoshta do të dalë edhe ndonjë emër tjetër. Dhe të gjithë janë të bindur se puna do të jetë e vështirë për socialistët.
Por ndërsa ky gjyq popullor vazhdon mbi kandidatin e mundshëm të Tiranës, përballë tyre janë shfaqur deri tani të paktën gjashtë emra. Tre si përfaqësues të protestës, tre të tjerë si përfaqësues të qejflive të saj.
Partia Demokratike, përveç Alimehmetit, po shikon edhe kandidatura të tjera. Arlind Qori e shpalli veten kandidat. Lapaj propozoi Binajn. Protesta po krijon me shpejtësi disa parti: një të Kuvendit Studentor, një të diasporës. Ndërkohë, çdo protestues e shikon veten si kandidat. Dy emrat e fundit që përfliten janë Genc Gjokutaj dhe Fatos Lubonja.
Problemi nuk është kush prej tyre ia del dhe kush jo. Krahasuar me çdo kandidat socialist, këta e humbasin garën edhe sikur të jenë vetëm tek e tek. Puna është diku tjetër. Kjo vetëfryrje si fitimtarë ndez një pritshmëri revolucionare për fitore. Kur ajo nuk ndodh, mbetet karburanti që mban gjallë revolucionin permanent.
Asnjë prej kandidatëve të shqyrtuar deri tani nuk bën as për këshilltar të njësisë administrative. Përjashtim bën Lubonja, i cili bën vetëm për këshilltar të revolucionit.
Nuk do të ishte dramë e madhe humbja e Tiranës nga socialistët, nëse përballë do të kishin dikë që vërtet mund të nisë një faqe të re për qytetin. Por nëse opozita sillet sikur e fitoi Tiranën sepse e dogji, atëherë mësimi i hidhur do të vijë më 9 maj.
Kushdo që del kandidat i opozitës duhet të mbajë distancë nga ata që dogjën Tiranën. Nga ata që e lanë pa semaforë. Nga ata që shkatërruan pronat private të qytetarëve pa asnjë lidhje me politikën, që dogjën e plaçkitën filiale bankash dhe kompanish celulare. E bënë në emër të luftës kundër imperializmit. Në fakt, gjithçka u bë për bathorizimin e Tiranës.
Problemi nuk është nëse humbet Partia Socialiste. Problemi është kur këta humbin thellë. Atëherë nuk u mbetet gjë tjetër veç imitimit të Berishës: "na i vodhën", "na i morën", "mafia", "bandat". Nuk do të kenë si t'u shpjegojnë qytetarëve përse Edi Rama nuk i përdori mafian, bandat, paratë dhe gjithçka tjetër për t'i ndalur të digjnin Tiranën dhe bizneset e saj. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveç njërit: ai nuk i ka ato mekanizma që vetë ua kanë imagjinuar si alibi.
Deri më sot revolucioni i flamingove ka fituar vetëm një garë. E mundi Tiranën, e gjunjëzoi, e dogji, e linçoi dhe e shpalli qytet armik të revolucionit. Këtë fitore duhet t'ia njohim. Tani u duhet të fitojnë Tiranën. Dikë që e ke përdhunuar, e ke të vështirë ta bësh të të dojë.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.