ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Potenciali i Ballkanit Perëndimor shkon përtej tregjeve kombëtare, duke krijuar mundësi për një hapësirë ekonomike më të integruar, me akses në tregjet

Një hapësirë ekonomike më e integruar, me akses të drejtpërdrejtë në tregjet evropiane, fuqi punëtore gjithnjë e më e kualifikuar dhe bashkëpunim në zinxhirët e vlerës rajonalë e evropianë. Ky është potenciali i Ballkanit Perëndimor, i cili shkon përtej kufijve të tregjeve kombëtare dhe hap mundësi që asnjë vend i rajonit nuk mund t'i shfrytëzojë i vetëm.
Një nga mesazhet kryesore të Forumit për Promovimin e Investimeve, ku gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor prezantuan potencialin e tyre, u dha nga përfaqësuesi i agjencisë për promovimin e investimeve.
“Si agjenci për promovimin e investimeve, përgjegjësia jonë nuk është thjesht të tërheqim vëmendjen. Ajo është edhe që interesin ta kthejmë në vendimmarrje, vendimet në projekte dhe projektet në vlera të qëndrueshme ekonomike. Prandaj shpresoj që diskutimi i sotëm të jetë i hapur dhe praktik. Le ta sfidojmë veten, të ndajmë përvojat tona dhe mbi të gjitha të identifikojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë. Si institucione ashtu edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ardhmja e rajonit tonë nuk do të përcaktohet nga potenciali që zotërojmë, por edhe nga aftësia jonë për të arritur rezultate konkrete”, u shpreh ai.
Interesi i rajonit për të tërhequr biznese nga Bashkimi Europian është i madh. Synimi i përbashkët, sipas tij, mbetet krijimi i një mjedisi biznesi sa më tërheqës për investimet e reja.
“Duhet ta kthejmë interesin e përbashkët në investime konkrete. Rritja e konkurrueshmërisë nuk duhet të jetë një proces i izoluar në secilin vend, sepse ne jemi më të fortë kur bashkëpunojmë dhe kur vendet tona veprojnë së bashku për të rritur konkurrueshmërinë e rajonit”, theksoi ai.
Gjatë forumit, gjashtë agjencitë e promovimit të investimeve prezantuan avantazhet dhe sektorët me potencial zhvillimi në ekonomitë e tyre përkatëse. Në qendër të vëmendjes ishte edhe përshtatja me hartën globale të investimeve, si dhe ndryshimet që po ndodhin në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.