ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Fatime Paja u arrestua gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, pasi policia dyshon se ajo furnizonte protestuesit me molotovë dhe mjete të tjera për sulme

**Nga flamingot e “Revolucionit” te 91 molotovët në bagazh: kush është Fatime Paja**
Arrestimi gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë e nxori papritur në qendër të vëmendjes një emër që deri atëherë njihej kryesisht në qarqet e artit. Policia dyshon se Fatime Paja furnizonte protestuesit me molotovë dhe mjete të tjera, që sipas saj do të përdoreshin për sulme ndaj efektivëve dhe institucioneve.
29-vjeçarja u kap në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, brenda një makine tip “Fiat”. Në automjet, forcat e rendit sekuestruan 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë dhe 59 tuba metalikë.
Para se të prangosej, Paja ishte një nga artistet që krijuan figurat e flamingove me të cilat protestuesit marshuan në kryeqytet. Në një intervistë për Associated Press, ajo tregoi se grupi zgjodhi flamingon si simbol të revoltës kundër projektit turistik në Nartë. Pikërisht prej atyre figurave lëvizja mori emrin “Revolucioni i Flamingove”.
Gjatë marshimeve, Paja merrte megafonin dhe udhëhiqte thirrjet “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”. Së bashku me artistët e tjerë, ajo organizonte edhe aktivitete vizatimi e ngjyrosjeje për fëmijët.
“E kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësinë që lidhen me jetën e përditshme civile në Shqipëri”, tha Paja për Associated Press në një intervistë më 20 qershor.
Në veprimtarinë artistike ajo njihet si Fatma Paja. Sipas biografisë së festivalit ndërkombëtar të animacionit Anibar, ka lindur në Belsh dhe punon si artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe dizajnere grafike. Bashkë me motrat Elsa dhe Natasha Paja themeloi studion krijuese TRIVET, përmes së cilës realizohen ilustrime, botime dhe ekspozita.
Në vitin 2023 punoi me Cultural Heritage without Borders Albania për një botim kushtuar Muzeut Etnografik të Krujës. Paja ishte bashkautore e konceptit dhe u kujdes për ilustrimet, përpunimin grafik e faqosjen. Projekti u financua nga Bashkimi Evropian përmes programit EU4Culture.
Po ashtu, TRIVET-i nënshkroi dizajnin dhe ilustrimet e guidës turistike të Mirditës dhe dha kontribut në ekspozitën “Mirdita në Fotografi”, në kuadër të projektit CulTour Mirdita. Për këtë projekt dhjetëmujor, organizata Art Kontakt mori nga EU4Culture një grant prej 44 mijë e 590 dollarësh, rreth 40 mijë e 548 euro. Granti mbulonte të gjithë projektin. Të dhënat e publikuara nuk përcaktojnë sa u pagua studio TRIVET apo vetë Paja.
Paja kontribuoi edhe në një studim të nismës ArtNexus mbi mbështetjen financiare për artistët dhe artet pamore. Në vitin 2023, tri motrat firmosën kopertinën e raportit vjetor të Trees for Albania. Një vit më pas, në Kosovë dhe Shqipëri, ato prezantuan ekspozitën “Që prej motmoti”, kushtuar traditave, miteve dhe riteve shqiptare.
Po atë vit Fatma Paja ishte anëtare e jurisë së festivalit Anibar në Kosovë. Ajo ka marrë pjesë si folëse edhe në aktivitetet e komunitetit Albanians Who Design. Puna e tri motrave në studion TRIVET u promovua gjithashtu përmes një videoje të publikuar në faqen e Bashkimit Evropian në Facebook.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.