ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nga Lorenc Vangjeli Rama dhe Berisha janë si dy rrota biçiklete. Nuk takohen kurrë, por kanë nevojë për njëri-tjetrin për të qëndruar në ekuilibër. Nesë çpohet njëra, tjetra detyrohet të ndalojë. Nëse mungon apo dëmtohet njëra rrotë, biçikleta nuk është më e tillë. Vetëm të dyja së bashku mund të ec

Nga Lorenc Vangjeli
Rama dhe Berisha janë si dy rrota biçiklete. Nuk takohen kurrë, por kanë nevojë për njëri-tjetrin për të qëndruar në ekuilibër. Nesë çpohet njëra, tjetra detyrohet të ndalojë. Nëse mungon apo dëmtohet njëra rrotë, biçikleta nuk është më e tillë. Vetëm të dyja së bashku mund të ecin përpara. Së paku kështu ka qenë që në vitin e largët 2008, kur Rama e Berisha vendosën me kushtetutë që do të ishin binomi që do të qeverisnin këtë vend, pavarësisht rolit vetjak: në zyrën e kryeministrisë apo në opozitë.
Ky është çelësi për të kuptuar marrëdhënien mes këtyre burrave, që mallkojnë gjithë ditën njëri-tjetrin, që duket sikur urrehen për vdekje, që mobilizojnë turmën vetjake kundër tjetrit, por që në asnjë rast, nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Ata janë të përfshirë në një binjakëri siameze, ku njëlloj si vëllezërit e lindur nga e njëjta vezë, nuk mund të mbijetojnë nëse nuk janë të dy njëkohshëm në jetë.
Ky është çelësi tjetër për të kuptuar sesi paradoksi bëhet shpjegimi i vetëm i realitetit të zymtë shqiptar në këtë epilog të dhunshëm vjeshte, me gurë, molotovë dhe shi në Tiranë; shpjegimi se pse dhuna në kryeqytet është adrenalina që mban në jetë pushtetin e përbashkët të Ramës dhe Berishës. Kjo është arsyeja se pse destabiliteti është në interes reciprok të tyre, pavarësisht se viktima të saj, janë disa kategori të shumëfishta sociale: ata që e ushtrojnë dhunën, ata që e pësojnë nga dhuna dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi e viktimizuar prej dhunës, përfshi militantët në rrudhje dhe indiferentët në rritje.
Njerëzit e rrethit më të afërt të kryeministrit thonë se ai fle dy herë më shumë në këtë fund vjeshte sesa në mes të qershorit. Ata tregojnë krenarisht në tryeza kafenesh WhatsApp-et e shkëmbyera me kryeministrin edhe në orën 01.30 të mbas mesnatës, edhe në 05.00 në të gdhirë të mëngjesit. Në qershor kishte mesazhe edhe më të vona natën, edhe më të hershme në mengjes. Një dëshmi që tregon se Rama është sot më i qetë sesa pesë – gjashtë muaj më parë. Atëherë kur në Tiranë si i shpikur nga hiçi, shpërtheu revolucioni i parfumit, i pagëzuar më pas me emrin e flamingove. Ky ishte momenti më i keq i qeverisjes së Ramës që pa në shesh një koalicion shumëngjyrësh, përfshi edhe votues të tij, që i kërkonin të takonte Berishën në një qeli të përbashkët. Dhuna që shpërtheu në mes të tetorit, me goditjen e institucioneve, grabitjen e disa filialeve të bankave dhe zjarreve të ndezur nga molotovët, krejt në të kundërt nga sa duket në vështrim të parë, ishte shpëtimi i tij i papritur. Paralelisht me shtimin e dhunës, nisën të bjeren numrat në bulevard dhe destabiliteti u bë një kartë që po hynte në lojën e re që pothuaj askush nuk po e kuptonte si të tillë.
Fati e desh që një gjë e ngjashme të ndodhte paralelisht, por për arsye të ndryshme, edhe në Francë e Itali. Ky përkim raastësor, i dha legjitimitet Ramës të shfaqej si faktor garantues stabilliteti.
Njëlloj si Macron apo Meloni.
Berisha ka pasur shumë dilema në qershor në raport me protestën. Për herë të parë në 35 vjet, njerëzit dilnin në protestë pa flamurin dhe frymëzimin e tij dhe ishin shumë më shumë sesa ai mund të mobilizonte në protestat tradicionale që ai i thërriste njëherë në muaj me partinë e tij të dërmuar nga 13 vite në opozitë. Po të pranonte atëherë frymën e protestës, do të legjitimonte klithmën që e kërkonte në burg bashkë me Ramën. Në të kundërt, i përfshirë në protestë që në krye të herës, Berisha do t’i kundërvihej edhe formalisht interesave financiare në Shqipëri të dhëndrit dhe bijës së presidentit Trump. Por nga ana tjetër, nëse rreshtohej kundër protestës, do të krijonte një kosto edhe më e madhe sepse e nxirrte rolin e tij në skaj të skakierës politike. Ndaj Berisha zgjodhi fillimisht ta nënrendisë PD-në në protestë duke pritur që t’i thithë asaj fillimisht numrat, e pastaj edhe drejtimin.
Dhuna e nisur në mes të tetorit i shkartisi letrat krejt ndryshe. Ndryshe, krejt ndryshe nga sa gjykojnë himnizuesit e dhunës, dhuna ka shumë më pak shanse për triumf në krahasim me protestën paqësore. Por ndryshe nga ajo, dhuna ka shumë më shumë shanse për të krijuar destabilitet. Revolucioni paqësor i Flamingove nuk do ta pranonte kurrë Berishën në bulevard, kurse dhuna është pasaporta që e bën të faktor edhe ustain e hershëm të saj. Kjo është llogaria që bën Berisha për vendin e tij në Tiranën e nesërme. Destabiliteti e bën atë skajin tjetër të drejtëzës politike që herët e a vonë do të duhet ta kontrollojë dhe shuajë atë. Vetëm atëherë slogani “Rama n’burg, Berisha n’burg!’, në anglishten e faktorit ndërmjetësues ndërkombëtar do të përkthehet: “Rama e Berisha në tryezë për të rikthyer stabilitetin e vendit!”.
Shembulli i Hungarisë dhe i Serbisë, dy përmbysjet e autokratëve të Budapestit dhe Beogradit, është këshilltari i përbashkët i Ramës dhe Berishës. Ata panë se jo vetëm autokratët mund të bien, por edhe se opozitat tradicionale mund të dalin pothuaj totalisht nga skena. Fiks, ky dhe jo rotacioni i pamundur, do të ishte skenari më i keq i mundshëm për të dy. Kjo është arsyeja kryesore se pse në Tiranë, Rama e Berisha kanë vendosur të sillen ndryshe: T’i japin nga një dorë njëri-tjetrit, pa shtrënguar duart. Ata kanë vazhduar të urrehen publikisht, pikërisht në momentin e martesës mes tyre për interes, të vijojnë të luftojnë egërsisht njëri—tjetrin, duke mbajtur njëri—tjetrin në pushtet. Ata e dinë mirë se largimi i njërit e bën tjetrin tmerrësisht vulnerabël dhe i hap gjithashtu derën e ikjes. Kur Berisha i përmend Ramës fatin e Çausheskut dhe nënkupton fatin e Orbanit dhe Vuçiçit, Rama i kujton se çfarë fati patën opozitat tradicionale në Hungari dhe Serbi.
Rama dhe Berisha, dy qeflinj pushteti dhe vere, mund të mos ngrejnë kurrë një dolli së bashku. Mund të mos ulen kurrë për të pirë një shishe vere në të njëjtën tryezë dhe të mos ndajnë pushtetin në tavolinë. Jaltën e tyre e kanë firmosur që në 2008-ën. Por interesi i përbashkët që i ka lidhur të dy për kërthize, i ka dënuar që të bashkëjetojnë dhe të bashkëpunojnë. Të jenë si dy rrota biçiklete. që vërtet nuk takohen kurrë, por që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën,
P.S. Për kuriozitet, në link është një editorial i 12 shkurtit të këtij viti, pothuaj katër muaj përpara se të niste revoolucioni i Flamingove, Meqë të dy, edhe Rama, edhe Berisha i shohin yjet e fatit në të njëjtën tryezë fallxhoreje, ndoshta është momenti për të kuptuar se mund të jenë tradhëtuar njëkohësisht prej fallxhores së tyre të përbashkët.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.