ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar përshkallëzim të kërcënimeve ruse ndaj sigurisë evropiane.

**Merz: Moska kërcënon sigurinë evropiane, ambiciet shkojnë përtej Ukrainës**
Kërcënimet ruse ndaj sigurisë së Evropës po përshkallëzohen. Ky paralajmërim erdhi nga kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjatë një debati në Bundestag për projektbuxhetin e vitit 2027.
Sipas tij, ambiciet e Moskës nuk ndalen brenda territorit ukrainas. Merz përmendi me radhë aktivitetet ruse në rajonin e Baltikut dhe në Poloni, ato në Detin e Zi, si dhe kërcënimet në hapësirën kibernetike. Tensioni, shtoi ai, ndihet edhe brenda vetë Gjermanisë.
Në një moment të fjalimit, kancelari iu drejtua hapur edhe ekstremeve politike të pranishme në sallë.
“Duhet thënë vazhdimisht, si për të djathtën ekstreme, ashtu edhe për të majtën ekstreme, Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron. Dhe Rusia dëshiron më shumë se Ukrainën. Rusia po përshkallëzon aktivitetet në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi. Rusia po i shton ndjeshëm këto veprimtari edhe këtu, në vendin tonë”, tha Merz.
Deklaratat vijnë në një moment tensioni të brendshëm politik. Opozita, përfshirë të djathtën ekstreme të AfD-së dhe të majtën radikale Die Linke, kërkon ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Kievin.
Ndaj këtij qëndrimi, kancelari kundërargumentoi se mbështetja për Ukrainën përbën njëkohësisht një investim për sigurinë e vetë Gjermanisë.
Projektbuxheti parashikon një rritje të ndjeshme të shpenzimeve të mbrojtjes. Berllini synon t'i çojë ato mbi 200 miliardë euro deri në vitin 2030, nivel që korrespondon me 3.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.