ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në Vizion Plus, ka shpërthyer ndaj SPAK dhe GJKKO, në ditën kur mamaja e saj u dënua me 7 vite burg,

**Kryemadhi pas dënimit të së ëmës: më morën shtëpinë, familjen ma shkatërruan, çfarë më bëjnë më?**
Monika Kryemadhi e ka shpërthyer ndaj SPAK dhe GJKKO gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus. E ftuara e studiost ishte në të njëjtën ditë kur mamaja e saj u dënua me 7 vjet burg, të konvertuara në shërbim prove.
Procesin ndaj vetes dhe familjarëve ajo e përshkroi si të padrejtë. Sipas saj, SPAK i ka bërë aq dëme, saqë nuk i ka mbetur më asgjë për t’i bërë.
Për mekanizmin e punës së këtyre institucioneve, Kryemadhi tha: “Kam mësuar metodologjinë si funksionon SPAK dhe GJKKO. GJKKO pavarësisht reformës në drejtësi, ka probleme se si funksionon. Vjen që te mungesa e transparencës. Gazetari dhe avokati nuk lejohen telefonat. Nëse gazetari hyn në sallë e ka të vështirë, por doli një herë nuk rikthehet dot. Ne kemi parë kudo që hyjnë e dalin në botë. Nuk pres që GJK që përgjohet nga SPAK dhe s’ka mender të thotë pse më përgjon, nuk pres të favorizojë gazetarët”.
Te rasti i Fatime Kryemadhit, vajza e saj u ndal te kërkesat e mbrojtjes. Mamaja ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe pavlefshmëri të analizës financiare, ndërsa SPAK e nis atë që nga viti 2002, kur ajo doli në pension. “Deri në 2002, ajo nuk ka lindur pensioniste”, vuri në dukje ajo. Sipas Kryemadhit, kur kërkohen të dyja, gjykimi i shkurtuar nuk kalon automatikisht.
Ajo shpjegoi edhe arsyetimin e të ëmës për gjykatën kompetente. Fatimja thotë se nuk ka pse të jetë pjesë e SPAK, pasi nuk është as ish-ministre, as deputete, dhe kërkon të gjykohet në Gjykatën e Tiranës. Përgjigjja e gjykatës, sipas saj, lidhet me Piro Xhixhon, ndonëse episodi i Fatime Kryemadhit daton në 2010 dhe ai i Piro Xhixhos në 2014.
Kërkesa të tjera u përmendën gjithashtu. “Fatimja thotë kur fillon procesi, kam kërkuar pavlefshmërinë e analizës financiare, mandateve që pretendon SPAK të bankës dhe nxjerrjen jashtë të pavlefshmërisë së një dëshmie, që tjetër gjë ka firmosur dhe sapo ka dalë nga SPAK, në përgjim ka thënë të vërtetën”.
Andi Bushati e çoi debatin te akuzat ndaj çiftit Kryemadhi-Meta. “Mamaja e Monikës është aty se ka një akuzë që Kryemadhi dhe Meta kanë përfituar. Debati publik duhet bërë, a ka përfituar Ilir Meta? Këtë nuk e ndjek njeri”, tha ai. Përgjigjja e të ftuarës ishte e shkurtër: “Gjykata kur bën kërkesë të ligjshme ta rrëzon”.
Klodiana Lala e pyeti nëse vendimi i cilësimit fajtore të të ëmës për pastrim parash, akuza që rëndon edhe mbi të dhe mbi Metën, e prek personalisht. Sipas Kryemadhit, rruga e ankimit është e hapur. “Ka apel, GJL, Kushtetuesja, Straburgu. Sa të jetë gjallë Fatimja, por edhe kur të vdesë do t’ja vazhdojë unë procesin. Do ta vazhdoj unë për pafajësinë e saj. Kush është vepra penale? Ta dënosh Fatimen, duhet të dënosh mua dhe Metën njëherë. Më e paktë ishte që të pezullohej. Po nëse dal unë dhe Meta të pafajshëm?”
Nga Ylli Rakipi erdhi pyetja nëse ky vendim paralajmëron që dënimi mund ta prekë edhe atë. “Po më plasi trapi po më ra edhe mua! Mua shtëpinë ma kanë marrë. Nga politika më kanë hequr. Në punë nuk më merr njeri. Çfarë do të më bëjnë mua më shumë? Familjen ma shkatërruan. Do të më çojnë te burgu i Pogradecit? Punë e madhe fort, bukën e kam qyl. Çfarë do të më bëjnë mua? Goc e re nuk jam më, karrierën nuk ma shkatërrojnë më. Mua më shumë seç më kanë bërë, nuk kanë ç’më bëjnë. Por karma is a bitch…”
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.