ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur ecurinë e punimeve për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, duke sqaruar fazat e

**Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, Karakaçi: shinat mbi 90% gati, elektrifikimi kërkon 12 muaj pas nënshkrimit**
Ecurinë e punimeve për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas e bëri të njohur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Të ftuar në një intervistë ekskluzive në RTSH, ku u trajtuan prioritetet e infrastrukturës për vitin 2027 dhe investimet publike, ai shpjegoi fazat e projektimit, mënyrën e financimit dhe afatet që lidhen me vënien në funksion të plotë të veprës.
Kërkesa e tij ishte që projekti të shihet në tërësinë e vet, që nga pika e nisjes. Sipas ministrit, në vitin 2016 vendi dispononte kapacitete të tjera për të thithur fonde dhe grante nga Bashkimi Evropian. Për këtë arsye, konceptimi fillestar nuk rezultoi i plotë.
“Në 2016 u projektuan vetëm shinat që të çonin në Durrës, asgjë më tepër, dhe siguria të cilën nuk e kishim bërë në fillim, pasi sektorin hekurudhor tashmë e kishim të degraduar”, sqaroi Karakaçi. Kjo qasje, shtoi ai, u ndoq me dijeninë e plotë të Bashkimit Evropian.
Që linja të bëhej plotësisht funksionale, projekti u zgjerua në vitin 2021 me projektimin e tetë stacioneve përgjatë gjurmës. Ato u financuan përmes një huaje tjetër dhe një granti të BE-së. Sipas ministrit, ky element ishte i domosdoshëm për të siguruar ndalesat e udhëtarëve edhe në qytete të ndërmjetme si Vora, e jo vetëm në dy polet kryesore të linjës.
Sa i përket gjendjes në terren, punimet për shtrimin e shinave janë drejt mbylljes. Stacionet, nga ana tjetër, kanë arritur në tre të katërtat e volumit të punës.
“Shinat e projektit të Tiranë-Durrës janë përfunduar mbi 90% dhe duhet të jenë funksionale ose në fund të këtij viti, ose në fillim të janarit të 2027-ës. Stacionet hekurudhore janë pothuajse 75% të realizuara”, u shpreh ai. Si shembull përmendi stacionin e Vorës, i cili është drejt përfundimit.
Elementi kyç që e kthen gjithë infrastrukturën në një vepër operacionale mbetet megjithatë elektrifikimi. Për këtë fazë është siguruar një hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe një grant nga Bashkimi Evropian. Kompania fituese e tenderit është shpallur qysh në muajin prill, por procedurat e financimeve të huaja kërkojnë më shumë kohë për konfirmim.
“Ne po presim akoma nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim aprovimin e fituesit të procedurës, pasi ka pasur disa ankesa në Londër”, tha ministri i Infrastrukturës. Afati për këtë fazë, saktësoi ai, është i qartë: “Nga momenti që ne lidhim kontratën duhen 12 muaj për të përfunduar procesin e elektrifikimit.”
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.