ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar ritmin e vendit

**“Drejt BE me ritëm mbresëlënës” – Von der Leyen: 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë**
Ritmi me të cilin Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian është “mbresëlënës”. Këtë vlerësim e dha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalës së saj në samitin BE–Ballkani Perëndimor, atje ku ajo e cilësoi zgjerimin si një domosdoshmëri strategjike për kontinentin.
Përfitimet, sipas saj, nuk presin deri në anëtarësim. Vendet e rajonit po i marrin ato që tani, përmes Planit të Rritjes dhe një integrimi gradual në tregun e përbashkët europian.
“Zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Evropën. Dhe sot, ky momentum është real. Nëse shohim të gjitha negociatat që po zhvillojmë, jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj këtë vit. Ky është një progres i jashtëzakonshëm dhe vjen në një moment vendimtar”, u shpreh ajo.
Bota përreth, vijoi von der Leyen, po ndryshon me shpejtësi. Prandaj Evropa duhet të jetë sa më e fortë dhe e bashkuar për t’u përballur me sfidat, ndërsa momenti aktual duhet kthyer në përparim drejt anëtarësimit. “Dhe kjo kërkon angazhim nga të dyja palët”, theksoi ajo.
Ndërkohë, tabloja e progresit është inkurajuese. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave, ndërsa Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Në fillim të këtij muaji u prezantuan udhërrëfyesit për të dyja vendet, dokumente që përcaktojnë përparësitë dhe etapar e qarta të punës që na pret. Dëshira e Brukselit është që edhe të tjerët ta ndjekin këtë shembull.
Paralelisht, po përgatitet edhe vetë Bashkimi. Janë shqyrtuar pasojat e zgjerimit për institucionet, politikat dhe buxhetin, sepse procesi duhet të jetë i suksesshëm si për shtetet anëtare aktuale, ashtu edhe për ato të ardhshme.
Megjithatë, sipas presidentes së Komisionit, nuk duhet pritur deri në anëtarësim për t’i afruar më shumë njerëzit dhe ekonomitë. Kjo është arsyeja e integrimit gradual dhe e Planit të Rritjes, i cili synon t’u hapë vendeve të Ballkanit Perëndimor më shumë përfitime të tregut të vetëm përpara anëtarësimit.
Për këtë arsye po hapen sektorë të caktuar, teksa vendet e rajonit ndërmarrin reforma për të krijuar kushte të barabarta konkurrimi. Procesi mbështetet me financim nga Bashkimi Europian dhe rezultatet tashmë duken.
Katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë bërë pjesë e SEPA-s, Zonës së Vetme të Pagesave në Euro, e cila lejon transferta parash të shpejta dhe me kosto të ulët. Përparim ka edhe në nismën “Roam Like at Home”: negociatat nisën muajin e kaluar me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Bëhet fjalë për përfitime konkrete për qytetarët, edhe pse ata nuk janë ende në BE.
Synimi shkon më tej. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisin dialogët për integrimin gradual me secilin partner, të përshtatur sipas nevojave të tij. Qëllimi është identifikimi i mundësive të reja brenda tregut të vetëm.
Integrimi më i thellë, nënvizoi von der Leyen, ecën paralelisht me reformat. Dhe këtu hyn në lojë Plani i Rritjes, zbatimi i të cilit këtë vit ka marrë ritëm më të lartë. Një vit më parë partnerët kishin përmbushur 38% të hapave të reformave; sot shifra ka arritur në 63%.
Reformat sjellin ndryshime të prekshme. Falë tyre, gjatë javëve në vijim do të çlirohen 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Një element tjetër thelbësor i rrugëtimit është afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me njëra-tjetrën, drejtim në të cilin gjithashtu ka përparim. Tregtia ndër-rajonale është rritur ndjeshëm, kualifikimet po njihen gjithnjë e më shumë përtej kufijve, roaming-u rajonal ua lehtëson njerëzve qëndrimin në kontakt, ndërsa korridoret e gjelbra po e bëjnë tregtinë më të shpejtë.
E gjithë kjo tregon peshën e bashkëpunimit rajonal. Në fund, siç e mbylli fjalën presidentja e Komisionit Europian, suksesi i zgjerimit do të matet me ndryshimet që ai sjell në jetën e njerëzve: më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë biznese që zhvillohen e tregtojnë përtej kufijve, si dhe më shumë besim në të ardhmen.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.