ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ka nisur zbatimi i masës së paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, për ndalimin e daljes jashtë vendit, për të gjithë ata persona që dyshohet se kanë kryer

**Zbatohet masa e paralajmëruar nga Rama: ndalohet dalja jashtë vendit për të dyshuarit për dhunë në protesta**
Ka nisur të zbatohet paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama për bllokimin e daljes jashtë vendit të personave që dyshohet se kanë kryer akte dhune gjatë protestave.
Një rast konkret është ai i një 21-vjeçari, të cilit iu refuzua udhëtimi drejt Greqisë. Si arsyetim u tha se për të rezulton një njoftim në sistemin e të dhënave. Për këtë rast nuk jepen shpjegime të tjera.
Edhe pedagogu dhe aktivisti Ermal Hasimja ka treguar se u ndalua në aeroportin e Rinasit, teksa po kalonte kontrollin e pasaportës. Në një reagim në rrjetet sociale ai shkruan se punonjësi i policisë nuk e njohu, por vuri re diçka në sistem. Më pas ai u shoqërua në zyrën e shefit të turnit, i cili i tha se situata mund të kishte lidhje me protestën.
Hasimja ngre dyshimin se kufizimi mund të ketë shërbyer si mënyrë identifikimi dhe presioni ndaj protestuesve, përmes kërcënimit me ndalimin e udhëtimit jashtë Shqipërisë. Si shpjegim të dytë ai përmend verifikimin që policia bën për personat me detyrim paraqitjeje, të cilët mund të tentojnë të largohen nga vendi.
Reagimi i plotë i Ermal Hasimjas:
Sot në Rinas gjatë kontrollit të pasaportave më veçuan dhe më shoqëruan në zyrën e “shefit”. “Shefi”, shumë i sjellshëm dhe disi në siklet më tha se ka lidhje me protestën, por do të ketë qenë ndonjë ngatërresë me ndonjë protestues me të dhëna të ngjashme. Nuk më bindi. Dy opsione të mundshme për mendimin tim:
1. Dikush identifikon protestues dhe u bën një formë presioni me kërcënimin e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit. Në rastin tim historia nisi me policen që kontrollonte pasaportat e cila nuk më njohu, por pa diçka në sistem, por u mbyll me kujdes nga “shefi” që me sa duket sheh pak më shumë TV.
2. Policia kontrollon nëse dikush me detyrim paraqitjeje largohet (pak a shumë shpjegimi i “shefit”).
Kujtojmë se vetë kryeministri Edi Rama paralajmëroi se protestuesve që ushtrojnë dhunë gjatë tubimeve do t'u ndalohej hyrja në vendet e Bashkimit Europian.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.