ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, eksperti i sigurisë Faik Basha dhe ish-prokurori Ervin Karanxha komentuan dosjen e SHISH

Dosja e SHISH dhe masa e arrestit në shtëpi ndaj ish-drejtueses Vlora Hyseni u trajtuan në emisionin "Real Story" në ABC News. Të ftuar në studio ishin eksperti i sigurisë Faik Basha dhe ish-prokurori Ervin Karanxha.
Në fokus të diskutimit ishte roli i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ndikimi që mund të ketë kjo çështje mbi institucionin. Basha vlerësoi se kreu i SHISH duhet t'i rezistojë çdo presioni. Sipas tij, rasti në fjalë mund të lërë pasoja jo të vogla për strukturën.
Duke folur për situatën e ish-kreut të SHISH, Basha u shpreh: "Drejtuesi i SHISH nuk duhet të bjerë pre e presionit. Vlora Hyseni ka qenë në kushtet e presionit. Duhet të dimë që SHISH është shumë i rëndësishëm. Dy vitet e fundit ne kemi parë shumë grupe kriminale që nga Shqipëria deri në Amerikën Latine janë goditur, të marrësh përsipër që ke qenë pjesë e SHISH dhe ke bashkëpunuar është një kosto e madhe. Sistemi merr goditje. Por, reklama më negative është bërë nga subjekte të ndryshme politike, që e drejtuan luftën drejt institucioneve".
Nga ana e tij, Karanxha kërkoi kujdes maksimal gjatë zhvillimit të hetimeve. Ai theksoi se duhet ruajtur privatësia e personave që nuk kanë asnjë lidhje me veprën penale. Po ashtu, ish-prokurori ngriti shqetësimin për sigurinë e bashkëpunëtorëve.
Për këtë aspekt, Karanxha deklaroi: "Do të jetë objekt hetimi materialet që kanë dalë. Duhet të ketë shumë kujdes të jetës private të disa personave, që nuk kanë lidhje fare me hetimin dhe nuk kanë lidhje me veprën penale. Rrezikohet jeta e bashkëpunëtorëve".
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.