ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Buxheti i bujqësisë për vitin 2027 do të jetë 17.9 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 1.1 miliardë lekësh

Buxheti 2027, vetëm 1,1 mld lekë më shumë për Bujqësinë, fondet arrijnë në 17,9 mld lekë! Zbardhen diskutimet në Komision
Bujqësia do të përfitojë 17,9 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2027, me një shtesë prej vetëm 1,1 miliardë lekësh ndaj vitit të kaluar.
Në Komisionin e Bujqësisë, ministri Andis Salla tha se 47% e këtyre fondeve do të shkojnë në katër shtylla kryesore: zhvillimin e qëndrueshëm dhe zonat rurale, sigurinë ushqimore, peshkimin dhe forcimin e infrastrukturës së kullimit.
Sipas tij, buxheti i vitit të ardhshëm shënon rritje prej 10% krahasuar me 2026, ndërsa mbështetja për fermerët do të jetë gjithashtu 10% më e madhe. Salla shtoi se, përveç fondeve buxhetore, janë siguruar 72 milionë euro nga Banka Botërore për ndërtimin e laboratorëve.
Shifrat e ministrit nuk i bindën deputetin e opozitës, Shkurt Lasku. Ai e quajti bujqësinë sektor të diskriminuar në shpërndarjen e fondeve publike, duke theksuar se rritja ekonomike mbështetet kryesisht te shërbimet dhe ndërtimi, ndërsa financimi për bujqësinë mbetet i pamjaftueshëm. Sipas tij, pesha prej 0,02% e financimit është shumë e ulët dhe qeveria duhet të kishte hapur debat për rritjen e mbështetjes.
Një tjetër çështje ishte programi IPARD III. Ndryshe nga herët e mëparshme, kur ministri kishte dhënë afat për çeljen, këtë herë nuk caktoi datë konkrete. Salla sqaroi se dokumentacioni është dërguar në shtator të këtij viti dhe tani pritet përgjigjja përfundimtare nga Bashkimi Europian, pasi, sipas tij, janë plotësuar kushtet e nevojshme.
Në fund të mbledhjes, pa kërkesa për ndryshime apo shtim të fondeve, anëtarët e Komisionit të Bujqësisë votuan njëzëri në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.