ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se sulmet ruse me dronë ndaj Kievit kanë dëmtuar edhe një ndërtesë që përdoret si rezidencë e ambasadorit të Arabisë Saudite, ndërsa objektivat e goditura përfshijnë gjithashtu kopshte, shkolla, banesa, magazina dhe infrastrukturë komunikimi. Në nj

Sulmet ruse me dronë mbi Kiev kanë dëmtuar rezidencën e ambasadorit të Arabisë Saudite
Goditje ajrore ruse me dronë kanë prekur ndërtesën ku strehohet ambasadori saudit në kryeqytetin ukrainas. Lajmi u konfirmua nga presidenti Volodymyr Zelensky. Sipas tij, objektivat e goditura përfshijnë edhe kopshte, shkolla, banesa, magazina dhe infrastrukturë komunikimi.
Në deklaratën e publikuar të dielën, kreu i shtetit ukrainas bëri bilancin e dëmeve vetëm në Kiev gjatë 24 orëve të fundit. Ai njoftoi se janë goditur dy kopshte dhe dy shkolla. Po ashtu është dëmtuar një pallat banimi, një servis automjetesh, disa magazina dhe objekte të komunikimit.
Mes strukturave të prekura renditet edhe rezidenca diplomatike saudite. Zelensky theksoi se kjo ndërtesë shërben si vendqëndrim i ambasadorit të Arabisë Saudite në Kiev.
Presidenti e cilësoi sulmin si goditje ndaj civilëve. Ai tha se ushtria ruse nuk po synon objektiva ushtarakë me këto aksione, transmeton ABC24.AL.
“Ky është një përpjekje për të thyer njerëzit dhe për t’i shkaktuar sa më shumë dëm shoqërisë sonë”, u shpreh Zelensky. Ai shtoi se nga sulmet ka viktima dhe dhjetëra të plagosur. Ngushëllimet i shprehu për familjet e atyre që humbën jetën.
Sipas shifrave të bëra publike prej tij, Rusia ka lëshuar 277 dronë sulmues që nga dita e djeshme. Prej tyre, 155 ishin dronë me motor reaktiv.
Në njoftimin e gjatë në rrjetin X, Zelensky dha detaje edhe për rajone të tjera. Në Dnipro është goditur një shkollë sportive. Në Sumy është dëmtuar ndërtesa e një shtëpie rajonale për fëmijë.
Ai e quajti këtë valë sulmesh terror. Sipas tij, kjo zgjedhje objektivash do të konsiderohej kudo në botë si akt terrorist. Rusia nuk ka asnjë qëllim ushtarak, por kërkon të shkatërrojë jetën civile.
Zelensky hodhi poshtë pretendimet e Moskës për gatishmëri për de-përshkallëzim. Ai tha se nëse Rusia do të përgatitej vërtet për hapa realë drejt uljes së tensioneve, siç deklaron para negociatorëve amerikanë, vala e terrorit me dronë Shahed nuk do të ndodhte. Sipas tij, Kremlini di të dërgojë sinjale diplomatike inkurajuese vetëm për të fituar kohë dhe për të shtyrë reagimin e ashpër ndërkombëtar.
Në këtë kontekst ai përmendi ligjin për sanksione dhe tarifa të senatorit amerikan Lindsey Graham. Akti, tha Zelensky, ka arritur në fazën e zbatimit. Zbatimi i plotë i tij mund të sjellë ndryshime të rëndësishme për mirë.
Ai kërkoi vendime efektive dhe presion më të fortë nga partnerët. Manipulimi me sinjale diplomatike nuk duhet t’i japë Rusisë më shumë kohë për luftë dhe terror, theksoi ai. Qëndrim parimor pritet edhe nga aleatët në G7 dhe G20.
Paketa të reja sanksionesh janë në përgatitje. Ato do të synojnë rrjetet financiare dhe zinxhirët e furnizimit me komponentë e pajisje për prodhimin e armëve ruse. Në fokus do të jenë gjithashtu kompani dhe individë të lidhur drejtpërdrejt me prodhimin e raketave balistike ruse. Sipas presidentit ukrainas, këto masa duhet të hyjnë në fuqi që në tetor. Qëllimi është krijimi i një baze më solide për të shtyrë Moskën drejt diplomacisë reale.
Ndërkohë përdorimi i shtuar i dronëve reaktivë po krijon vështirësi të mëdha për mbrojtjen ajrore. Reuters ka raportuar se këta aparate janë më të shpejtë se dronët me helikë. Kjo po e komplikon ndjeshëm punën e sistemeve kundërajrore, sidomos rreth Kievit.
Ukraina po përpiqet të rrisë prodhimin e dronëve përgjues. Zelensky ka bërë të ditur se janë testuar sisteme të reja për kapjen e dronëve me motor reaktiv. Prodhimi i tyre po përshpejtohet.
Sulmi i fundit vjen në një moment tensionesh të vazhdueshme. Kievi po përballet prej javësh me valë të përsëritura sulmesh ajrore ruse mbi qytete dhe infrastrukturë civile.
Presidenti ukrainas ka kërkuar vazhdimisht forcimin e mburojës ajrore. Ai insistoi sidomos për furnizimin me raketa interceptuese Patriot për mbrojtjen e popullsisë, raporton ABC24.AL.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.