ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
E përjashtuar nga Partia Socialiste, Elisa Spiropali ka folur në emisionin “Opinion” në Tv Klan për përplasjet me kryeministrin Edi Rama, largimin e papritur

Pas përjashtimit nga Partia Socialiste, Elisa Spiropali u ul përballë publikut në studion e “Opinion” në Tv Klan. Aty foli për konfliktet me Edi Ramën, për heqjen e befasishme nga kreu i diplomacisë dhe për gjendjen brenda PS-së.
Sipas saj, “Mamica” është një emërtim që e përdorin vetë qytetarët. Por mediat, vlerëson ajo, e kanë tepruar me etiketimin që i kanë vënë.
“Unë jam quajtur ‘Mamica’, por mediat e kanë tepruar me krahasimin. Nuk e kam quajtur ‘Skënderbe’ Ramën, por e kam respektuar si kryeministër, pa diskutim. Kur nisi protesta e flamingove, por edhe pak më herët, deklarova se ky është momenti për të qëndruar në anën e duhur të historisë. Unë kam hedhur kritika, atëherë kur pakkush guxonte ta bënte këtë”, deklaroi Spiropali.
Për largimin nga Ministria e Jashtme, ajo tha se asnjë shpjegim zyrtar nuk iu dha. Përgjigjjen për këtë, sipas saj, duhet ta japë kryeministri.
“Për arsyet se përse u hoqa si ministre e Jashtme duhet të pyesni kryeministrin. Pyetja është se përse largohen njerëzit, pa iu dhënë atyre arsye zyrtare e publike. U sajua një narrativë e tërë, për ‘puçin e famshëm’, ku në vend që të mbahej përgjegjësi për çështje të caktuara, u sajua një narrativë e tërë puçi, që sikur unë paskam pasur qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama”, tha ajo.
Akuzat se kishte tentuar të ngrinte një lëvizje për rrëzimin e kryeministrit i mohoi kategorikisht. Bëhet fjalë për një skenar të sajuar, theksoi ajo, që shërbeu për të larguar vëmendjen nga çështjet ku kërkohej përgjegjësi. Në rolin e ministres së Jashtme, shtoi Spiropali, mbrojti interesat e shtetit dhe të kombit.
Më pas u ndal te Partia Socialiste. Ajo pranoi se PS vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm politik në vend, por kërkon reformim dhe reflektim. Nuk kurseu kritikat për partinë-shtet dhe paralajmëroi se nuk mund të llogaritet përjetësisht te dobësia e opozitës.
“PS është një aset kombëtar i Shqipërisë. Është një parti progresiste, pulsi i së cilës rreh nga e ardhmja. A ka tendenca të kthehet në kohë mbrapa? Po, ka dhe ka nevojë për reformim.
Duhet të marrë fund partia-shtet. Nuk mund të vazhdojmë që të mbahemi në pushtet nga dobësia e opozitës. PS ka nevojë për një reflektim”, u shpreh Spiropali.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.