ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Rrjetet sociale shumë shpejt mund të mos jenë më të aksesueshme nga fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri. Kjo, nëse qeveria

Rrjetet sociale mund të dalin shumë shpejt jashtë aksesit të fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri. Kushti është që qeveria të vendosë të ecë përpara me nismën e propozuar nga kryeministri Edi Rama.
Masa e synuar rikthen në qarkullim debatin e vjetër për efektet që platformat online kanë te të miturit. Sipas ekspertëve të fushës, pasojat ndihen në zhvillimin emocional të fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Ata janë pjesë e botës së teknologjisë dhe krahasojnë veten me modele që gjejnë në rrjetet sociale. Janë adoleshentë që shoqërohen me ndjenjë ankthi, depresioni dhe vetëvlerësim të ulët. Kemi format e bullizmit shumë të dukshme në rrjetet sociale. Kemi një kërcënim tjetër, që është bullizmi kibernetik, i cili është i lidhur me ngacmimet seksuale që vijnë nga këto rrjete.”
Problemi nuk mbaron me kaq. Zbatimi praktik i masës mbetet pengesa më e madhe. Sa realist është kufizimi i plotë i aksesit për të miturit deri në moshën 16 apo 18 vjeç?
“Ka shumë sfida të mëdha. Në vendet ku është bërë kjo, janë vendosur disa hapa shtesë për hapjen e llogarisë apo përmbajtjes. Kufizimi i moshës e bën të domosdoshme një ID identifikuese të moshës, ne nuk e kemi aktualisht në Shqipëri. Ka filtra monitorues, sidomos me IA, është shumë lehtë e identifikueshme. Sfida është nëse është duke u implementuar kufizimi apo jo, a ka filtra të duhur. Po flasim me një brez që është rritur me teknologjinë. Ka një shpejtësi të madhe të marrjes së informacionit dhe ne po e ndalojmë marrjen.”
Për specialistët e IT-së, megjithatë, hapi vjen me vonesë.
“Ne si komunitet IT kemi bërë thirrje që të ketë kufizime për sa i përket rrjeteve sociale për fëmijët. Në shumë vende të tjera mori formë të prerë. Ekspozimi ndaj krimit, vrasjeve, pornografisë, në momente të frikshme pa kontroll, e bën të domosdoshme një nismë të tillë.”
Australia ishte vendi i parë në botë që bllokoi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Të njëjtën masë e kanë aplikuar Malajzia, Indonezia, Kina dhe Brazili.
Greqia e nis kufizimin për të miturit nën 15 vjeç nga 1 janari 2027. Edhe disa vende të tjera europiane, si Spanja, Danimarka, Norvegjia, Britania dhe Austria, kanë njoftuar planet për këtë masë. Qëllimi është t'i mbajë fëmijët larg rreziqeve të mjedisit digjital.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.