ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, i ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, ka komentuar protestat e të

Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, i ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, ka komentuar protestat e të rinjve, duke u ndalur te përshkallëzimi i tensioneve, dhuna dhe përfshirja e politikanëve e pedagogëve në lëvizjen studentore.
Vengu u shpreh se protesta, e cila nisi për çështje që lidhen me arsimin, është zhvendosur drejt një debati mbi dhunën dhe reagimin e institucioneve.
Deputeti socialist theksoi se nuk është dakord me barazimin e dhunës me reagimin e qytetarëve dhe institucioneve, por nënvizoi se, sipas tij, gjatë protestave të javës së kaluar janë tejkaluar disa kufij.
“Nisi te Ministria e Arsimit. Dhe unë prisja, si person publik dhe shërbyes i shtetit edhe gjatë protestave të 2018-ës, që në këtë javë të flisnim për arsimin, për kushtet, për arsim cilësor, për perspektivë punësimi, për teknologjinë në arsim dhe të gjitha këto tematika. Dhe ne sot këtu në këtë tryezë flasim për kryefjalën që është dhuna. Unë nuk jam dakord me barazimin e dhe ekuivalencën e dhunës që është përpjekur gjithë debati publik t’i japë nga njëra anë reagimit të publik, reagimit të institucioneve, sepse unë kam qenë vetë student dhe kam bërë studimet në Francë. Jam person i mbrojtur edhe nga pikëpamja e rëndësisë së lirive thelbësore dhe unë e kam parë se çfarë është një rini që kërkon llogari. E di shumë mirë se çfarë është një rini që kërkon llogari. Por javën e kaluar u tejkaluan ca limite. Se nga momenti që institucioni jo vetëm bëhet objekt kritike dhe kërkesë llogarie, po institucioni digjet, patjetër që shteti është në përparësinë jo vetëm të dëgjimit, por të reagimit për të rikthyer rendin”, u shpreh Vengu.
Ai u ndal edhe te përfshirja e pedagogëve dhe politikanëve në protestat e të rinjve, duke theksuar se ekziston një tendencë për ta orientuar kauzën rinore drejt interesave të aktorëve të tjerë politikë.
Sipas Vengut, të rinjtë duhet të dëgjohen drejtpërdrejt dhe nuk kanë nevojë që kauza e tyre të përfaqësohet nga politikanë apo pedagogë që, sipas tij, përpiqen të fitojnë rol në këto lëvizje.
“Ajo që mund të them është që ne kemi një trashëgimi shumë të keqe të komunizmit, fatkeqësisht ende, që ngatërrojmë shtetin me qeverinë. Fatkeqësisht, jo, nuk ngatërrohet shteti me qeverinë kurrsesi, dhe sot edhe më pak sesa para disa vitesh. Zonja Jupi përmendi një klasë politike 36-vjeçare. Unë jam një politikan i ri, jam deputet prej një viti, kam pasur nderin të shërbej patjetër një dekadë në administratën shtetërore.
Kur zonja Jupi ishte e përfshirë në politikë si pedagoge, me të gjithë të drejtën se dhe pedagogët nuk duhet të surprizohemi që janë të anëtarësuar dhe angazhohen në politikë, s’ka asgjë të keqe. Por duhet t’i rezistojmë tendencës, siç thashë ju, që erdhën pedagogët dhe tashmë nuk do kemi më dhunë, do kemi kërkesa të qarta. Nuk do i bëj pedagogëve atë që zakonisht i bëhet politikanëve, që konsiderohen të gjithë hajdutë, të gjithë të korruptuar, unë nuk do ta bëj kurrë këtë për pedagogët.
Por ama, në ditën e parë të protestës, sepse kur shohim historikun, siç e thatë ju shumë mirë, të protestave rinore në Shqipëri, gjithmonë është tendenca edhe e politikanëve, edhe e pedagogëve që ta tërheqin drejt vetes kauzën”, tha ai.
Në përfundim, Vengu theksoi se shteti duhet të dëgjojë kërkesat e të rinjve, por nuk mund të negociojë, sipas tij, vetë ekzistencën e institucioneve.
“Dhe kam thënë në datën 13 në mbrëmje: nuk kanë nevojë studentët shqiptarë dhe rinia shqiptare për megafon. Nuk kanë nevojë as për pedagogë që rishpikin veten duke u përfshirë në këto kauza, për një gjeneratë që dëgjohet pak, keqkuptohet shumë.
Unë dua të them që as deputetët dhe as pedagogët nuk kanë pse bëhen megafon të rinisë shqiptare, e para, dhe ne nuk kemi pse të konsiderojmë që ardhja e pedagogëve apo e disa deputetëve të çfarëdolloj partie në atë protestë i jep më shumë legjitimitet. Ajo që juve e konsideroni negociatë, unë po ju them përgjigjen shumë thjesht: Shteti nuk negocion ekzistencën e vet”, theksoi Vengu.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.