ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Intervistoi Lorenc Vangjeli

Intervistoi Lorenc Vangjeli
Ajsela Koka e shfaq pa dashur ngutin e qetë të njerëzve të sofistikuar. Si në librat e letërsisë klasike me shumë volume, e njëjta linjë ngjarjesh, të njëjtët personazhe e kopertinë e ngjashme, botuesja e shtëpisë botuese Dritan ka sjelljen e orës zvicerane në minutat e jetës së saj të ndarë mes botës së librave dhe jetës si nënë me tre vajzat e saj të mituara. Ndërkohë që intervistohet, botuesja sjell me vete edhe një lloj trishtimi aristokratik, gjithmonë e më i rrallë i njerëzve që jetojnë në botë paralele: atë të zakontën e vrapit në përditshëri dhe zhytjen në rrjedhën krejt të ndryshme të kohës në botën e librave.
“Ka një simbiozë të çuditshme në bashkëjetesën e titujve. Ka prej tyre, leximi i të cilëve mund të ndryshojë jetë, por ka dhe tituj që të bëjnë të ndjesh psherëtimën e drurit, që ndjehet fatkeq se është bërë fillimisht letër e më pas është shndërruar në biznes kartëmonedhash.”.
Ajsela Koka flet për atë distancë që fundja e bën edhe më interesante simbiozën mes titujve; seriozë e letërsi vere, nga ata që mund të lexohen me një frymë në distancën nga një semafor në tjetrin në trafikun e Tiranës dhe që i ngjajnë njëri—tjetrit si kokrra e rërës kokrrës së rërës. “E megjithatë, botimi është një akt shpirtëror që kërkon sakrificë dhe vetë sakrifica më pas është çeku që i paguhet shpirtit”, thotë ajo qetë.
Ajsela Koka ka zgjedhur të qëndrojë larg prezantimeve të zhurmshme publike dhe modës e trendit të panaireve të librit. Kolana e përzgjedhur prej saj, një numër marramendës librash, dëshmojnë pikërisht prirjen e saj që të shërbejë dhe jo të jetë e shërbyer nga librat. Ndaj ka zgjedhur të jetë si një projektor drite në prapaskenë, që çuditërisht ju thekson konturet personazheve të skenës edhe kur për shumëkënd, ata janë veçse hije në një botë të vrullshme; në një botë si bimë OMGJ, shumë ngjyrëshe, por pa shije dhe pa aromë.
Libri i fundit, dalë në treg Ditën e Alfabetit, për një nga kolosët e Rilindjes shqiptare, Sami Frashërin, është një testament i rradhës për kujtesën kombëtare. Eshtë një diamant i ruajtur prej kohësh në kasafortën e një gjuhe të huaj, të cilën një trinom i talentuar zonjash, Ajsela Koka si botuese, Lindita Xhanari Latifi si shqipëruese dhe Manushaqe Bako si redaktore, ja dhurojnë publikut shqiptar si një pronë intelektuale dhe si një premtim moral. Duke afruar një udhëtim virtual në Stambollin e dikurshëm perandorak që fliste gjithashtu edhe shqip, me gojën dhe shpirtin e shumë shqiptarëve të mëdhenj, pa të cilët, Shqipëria nuk do të ishte kurrsesi kjo që është.
Si lindi ideja për të sjellë në shqip një libër për Sami Frashërin?
Prej vitesh, Shtëpia Botuese Dritan ka botuar një numër të konsiderueshëm veprash nga letërsia turke, vepra të përzgjedhura nga autorët më në zë klasikë dhe bashkëkohorë, si Yusuf Atılgan, Burhan Sönmez, Tezer Özlü, Şebnem Işigüzel etj. Romani Jehona e Shpirtit na erdhi si propozim i përkthyeses, profesoreshës së gjuhës shqipe, Lindita Xhanari Latifi, njohëse shumë e mirë e letërsisë dhe kulturës turke, e cila kishte rënë në kontakt me këtë vepër madhore në Turqi. Vendosëm që ta botonim, për vlerat e mëdha që mbart për kombin tonë, për përpjekjet, historitë, kontributet e jashtëzakonshme të Familjes Frashëri për gjuhën shqipe dhe bashkimin kombëtar. Ky libër klasifikohet si roman dokumentar dhe është bazuar mbi fakte të gjetura në arkivat e shtetit turk, ditarët personalë dhe albumet fotografike të Sami Frashërit dhe të fëmijëve të tij. E veçanta e këtij libri është se në të shtjellohet jo vetëm jeta e Sami Frashërit, por edhe e birit të tij Ali Samiut, jetën e të cilit nuk e gjejmë të dokumentuar në literaturën shqiptare. Ai, në një drejtim krejt të ndryshëm nga i të atit, merret me sport dhe bëhet themeluesi i ekipit të Gallatasarajit.
Vetë shkrimtari Mehmet Şenol, gazetar i njohur, me një kontribut të vyer në fushën e gazetarisë si themelues i disa revistave, u nis të shkruante historinë e Klubit të Gallatasarajit. Duke shfletuar arkivat, ra ndesh me emrin e madh të familjes dhe paraardhësve të Ali Samiut, ndaj nuk mundi të rrinte pa përfshirë në të të gjithë historinë e familjes Frashëri.
Çfarë vendi mendon se zë në panteonin e Rilindësve shqiptare Frashërlliu i famshëm?
Sami Frashëri, bashkë më vëllezërit Abdyl e Naim, qëndrojnë në majë të panteonit të Rilindësve shqiptarë, si atdhetarë që punuan për kombin atëherë kur nuk ekzistonte ende shteti i pavarur
shqiptar. Sami Frashëri është një figurë jashtëzakonisht e plotësuar, si intelektual, si politikan e gjuhëtar. Familja e Frashërllinjve është shkëputur prej atdheut që herët, kur babai u vdiq dhe
Abdyli, si vëllai i madh, mori në dorë fatet e familjes dhe vendosi që të shpërnguleshin fillimisht në Janinë, ku të ndiqnin shkollën, ndonëse mësimet e para ata i kishin marrë që në fshat me
mësuesin që vinte nga Tepelena. E ngjizur me traditat bektashiane, familja e tyre nuk ka qenë kurrë një vatër konservatore dhe fanatike. Në Janinë ata po thithnin një ajër akoma më
perëndimor. Pasi u shkolluan në Janinë, vëllezërit Frashëri punuan në administratën e saj dhe, mes një jete të pandarë nga librat dhe leximi, Samiu nisi edhe shkrimet e para.
Citim nga Libri:
Abdyli, pasi hodhi vështrimin mbi të, e më pas mbi vëllezërit e tjerë, që po e vështronin me habi
këtë shpërthim të Samiut, u tha: “Po, edhe Naimi do të shkojë në shkollë. Jo vetëm ti, por të
gjithë; madje edhe Mehmeti i vogël duhet të mësojë. Për sa kohë të rrimë në fshat, do të
mbetemi prapa. Kur të shkojmë në Janinë, do ta shihni se atje nuk mund të jetojmë pa ditur e pa
mësuar. Ose do të jetojmë si këtu, ose si në qytet… Babai, gjyshërit dhe paraardhësit tanë na
lanë nder e prestigj. Tani, këtyre dekoratave ne do t’u shtojmë edhe diturinë.”
Por nuk kaloi shumë dhe Abdyli do t’i dërgonte vëllezërit Naim dhe Sami në Stamboll, sepse duke qenë më afër Portës së Lartë dhe Sulltanit, përpjekjet e tyre për të arritur shkëputjen nga
Perandoria Osmane dhe krijimin e Shtetit të pavarur Shqiptar do të ishin më të plota e me rezultate të dukshme.
Fjalët e Abdylit:
“Nuk mjafton të kemi vetëm të afërmit tanë në Stamboll. Duhet të jemi edhe ne atje, sepse atje është gjithçka: Sulltani, veziri, Porta e Lartë… Po qëndruam këtu, mbetemi larg. Nëse ju shkoni
atje, fuqia dhe ndikimi i shtëpisë sonë do të rriten.”
Falë përgatitjes dhe kulturës së zgjeruar, si njohës i disa gjuhëve të huaja – frëngjisht, italisht, spanjisht, turqisht, persisht – Samiu filloi menjëherë punë në Zyrën e Shtypit të Stambollit.
Përgatitja e tij e bëri të ishte më afër rretheve akademike dhe komunitetit intelektual shqiptar të Stambollit. Por asnjëherë nuk reshti së përdoruri ndikimin e tij për ngritjen e çështjes
kombëtare pranë institucioneve turke. Megjithëse u nda herët prej vendit të tij, Sami Frashëri së bashku me të vëllezërit lidhën Besën se kurrë nuk do ta harronin çështjen kombëtare dhe do të luftonin me pushkë e me penë për të.
Konkretisht, ai luajti një rol vendimtar në sigurimin e lejeve zyrtare për hapjen e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë. Ishte ideatori dhe hartuesi kryesor i alfabetit të Shoqërisë së të
Shtypurit të Shkronjave Shqip, bazuar mbi parimin fonetik (një tingull, një shkronjë). Sami Frashëri ka lënë pas 54 vepra, nga të cilat vetëm 42 panë dritën e botimit, ndërsa 12 të tjera
mbetën dorëshkrim. Mes tyre mund të përmendim: Fjalori enciklopedik, botuar në Stamboll në vitet 1889–1898/1899, përbëhet nga gjashtë vëllime dhe konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme enciklopedike të Perandorisë Osmane të fundit të shekullit XIX. Fjalori i Turqishtes prej 1574 faqesh, Fjalori i Frëngjishtes, Fjalori i Arabishtes Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899) – Vepra më e rëndësishme politike dhe kombëtare e Sami Frashërit, ku shprehet vizioni i tij për krijimin e një shteti të pavarur e laik shqiptar.
Abetare e gjuhës shqipe (1886) – Libër për mësimin e gjuhës shqipe.
Shkronjëtore e gjuhës shqipe – Vepër kushtuar gramatikës së gjuhës shqipe.
Sami Frashëri edhe fëmijët e tij i arsimoi në shtëpi, duke ua hartuar vetë librat dhe duke përzgjedhur mësuesit që u vinin për mësim. Ai donte që ata të formoheshin me një kulturë të gjerë, ku të përfshiheshin degë të ndryshme të shkencës, por edhe të brumoseshin me ndjenjën e atdhetarisë dhe patriotizmit.
Pse ka kaq insistim nga turqit për ta bërë turk, shqiptarin tonë nga gjuha e gjaku?
Nuk mendoj se e pretendojnë fare pa të drejtë. Sami Frashëri ka mbajtur disa poste në administratën osmane, ndonëse asnjëherë nuk u është afruar shumë rangjeve të larta, për shkak të përfshirjes dhe rolit që ka pasur në çështjen shqiptare. Ka punuar në Zyrën e Shtypit të Portës së Lartë. Më 1877 u caktua me punë në Rodos si sekretar i valiut. Gjatë luftës Ruso-Turke u caktua me punë kryenëpunës në Komisionin për Regjistrimin Ushtarak në Janinë. Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, u caktua sekretar i Komisionit të Kontrollit Ushtarak të themeluar më 1881, post të cilin e mbajti gjersa ndërroi jetë.
Po njëkohësisht, ka dhënë një kontribut të pashoq edhe në gjuhën dhe letërsinë turke me botimin e fjalorëve, përkthimeve, veprave letrare dhe enciklopedisë së përmendura më lart.
Citim nga libri:
Duke folur për kontributin e tij në pasurimin e gjuhës turke, sidomos për gjuhën letrare dhe larminë e shprehjeve që i dhuroi asaj, Jahja Qemali do të thoshte: “Çfarë do të bënin vallë shkrimtarët tanë të mjerë, po të mos ishin fjalorët e tij?”.
Si e gjykoni faktin që fatkeqësisht, për thesaret më të rëndësishme të kulturës apo kujtesës shqiptare, të huajt kujdesen më shumë se ne vetë?
Ky është një fakt i dhimbshëm, për fat të keq, i pranishëm gjerësisht në vendin tonë. Institucionet shqiptare nuk janë funksionale përsa u përket politikave për ruajtjen, thellimin, hulumtimin dhe edukimin e brezave për t’u kujdesur për trashëgiminë tonë kulturore. Përcjellja e këtyre vlerave ka të bëjë me identitetin tonë kombëtar dhe, mjerisht, ne si popull kemi një mungesë të vetëdijes dhe të interesit për ruajtjen me fanatizëm të këtyre vlerave. Vetëm vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të prishjes ose dëmtimit të shumë veprave me interes të lartë kombëtar, si shprehje e trashëgimisë, identitetit, prejardhjes dhe historisë së popullit tonë të lashtë. Si shembulli i Sami Frashërit, mund të gjejmë plot në historinë tonë. Atdhetarë dhe figura të ndritura kombëtare që kanë punuar dhe luftuar jashtë Shqipërisë, vepra të mbledhura dhe të dokumentuara në arkivat, koleksionet, në Vatikan apo në universitetet e Londrës, Vjenës, Sofjes, Stambollit, Uashingtonit, ndoshta edhe për faktin e mungesë së një shteti shqiptar në ato kohëra. Ato meritojnë një studim të thelluar, një katalogim të kujdesshëm dhe institucione serioze për ruajtjen.
Çfarë vendi zë ky libër në bibliografinë për Sami Frashërin dhe pse është i rëndësishëm për lexuesin shqiptar?
Vepra Jehona e Shpirtit ka një vlerë të madhe për lexuesin shqiptar. Ky libër është i bazuar në arkivat turke dhe në ditarët personalë të Sami Frashërit dhe familjarëve të tij. Aty ne mësojmë
mbi të gjithë familjen e madhe të Frashërllinjve, jo vetëm për veprat e tyre madhore, por edhe si e jetojnë jetën e tyre përditshme, mësojmë për dimensionin e tyre njerëzor. Marrim dijeni
për dashuritë, martesat, lidhjet me fqinjët, nipërit, mbesat, lidhjet me komunitetin e madh shqiptar në Stamboll, e, mbi të gjitha me atdhetarë e patriotë anekënd Evropës, me të cilët i
bashkonin të njëjtat ideale. Pra, futemi në një kuadër shumë më të gjerë zhvillimesh historike, jo vetëm në Perandorinë Osmane. Në këtë libër shfaqen figura tejet të rëndësishme të pendës
shqiptare e të çështjes shqiptare, si Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Pashko Vasa e deri te Ismail Qemali. Aty përmenden ngjarje të mëdha historike që kanë vulosur rrugën e kombi tonë për liri
e pavarësi, që nga Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, hapja e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë.
Citim nga libri:
Jani Vreto, anëtari më i moshuar i mbledhjes, pa humbur kohë mori fjalën, duke theksuar në mënyrë të drejtpërdrejtë thelbin e çështjes:
“Nuk kemi përse e zgjasim më. Perandoria Osmane po shpërbëhet. Brenda këtij viti, dy të tretat e Rumelisë nuk janë më nën sundimin osman. Dhe vetëm ne, shqiptarët, nuk po arrijmë as të shprehim të drejtat tona. Nuk po arrijmë t’u tregojmë të tjerëve se jemi një komb, se, ashtu si serbët, grekët dhe bullgarët, edhe ne jemi një komb më vete. Na duhet të ndërtojmë historinë tonë. Duhet të nxjerrim në pah historinë e popullit tonë.” “Dhe duhet ta fillojmë me gjuhën tonë…”
Samiu nuk arriti ta përmbante emocionin kur i ndërpreu fjalën Jani efendiut, i cili ishte tridhjetë vjet më i madh se ai. Një dimension tjetër me një interes të madh është edhe jeta e të birit të Sami Frashërit, Ali Samiut, i cili, me një ngjashmëri të madhe me të atin, për sa i përket edukatës së punës, disiplinës, ndershmërisë, përkushtimit dhe mendimit përparimtar; por edhe duke dalë kundër
pritshmërive të familjarëve të tij, të cilët prisnin të merrte në duar flamurin e çështjes shqiptare, ai i përkushtohet futbollit dhe bëhet themeluesi i klubit të futbollit Gallatasaraj të Stambollit. Vetë Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit, e kritikoi ashpër për këtë.
Citim nga libri:
Mit’hati e pa me një vështrim qortues dhe e pyeti: “Pas vdekjes së babait dhe xhaxhait tonë, ti zgjodhe të merresh me atë lojë, kështu? A e ke idenë se ç’furtuna ka shkaktuar këtu alfabeti që përgatiti babai ynë? A e di se shqiptarët çdo ditë luftojnë, sakrifikojnë dhe vënë jetën në rrezik për të mbrojtur vendin e tyre nga sulmet e çetave të armatosura? Dhe ashtu si bejlerët shqiptarë këtu, që e kalojnë jetën duke ngrënë hallvë e duke pirë kafe, edhe ti atje qenke dhënë pas topit, kështu?”
Po në vitet e fundit të jetës, kur Mit’hat Frashëri kthehet për të fundit herë në Stamboll dhe takohet me Ali Samiun, i shpreh një qëndrim krejt tjetër dhe e përgëzon për arritjet e veta.
Citim nga libri:
“Në të vërtetë, Ali, dua të të them edhe diçka tjetër. Ne, të gjithë si familje, kemi qenë gjithmonë krenarë për ty. Dua ta dish këtë. Ndoshta nuk kemi ditur kurrë të ta tregojmë, që ti ta ndjeje. Të kemi parë gjithmonë si fëmijën që duhej ta mbronim e të kujdeseshim për të, si një djalë të ri të papjekur e të shkujdesur, që nuk e merrte jetën fort seriozisht. Por ti nuk zgjodhe të ndiqje rrugën tonë; zgjodhe rrugën tënde. Nuk na dëgjove asnjëherë. Ndoqe rrugën që besoje se ishte e drejtë për ty, rrugën ku mendoje se do të gjeje lumturinë.”
“Të njohin, a e di këtë? Të njeh shoferi, të njeh mekaniku, të njeh shitësi i perimeve. Nuk e di si ndodhi, si ia dole ta arrije këtë. Me siguri ka qenë rrugë e mundimshme. Rruga e gjithsecilit
është e vështirë në mënyrën e vet. Por tani jam i bindur se ata që do ta njohin familjen tonë, xhaxhallarët tanë, nënën e babanë tonë, paraardhësit tanë në këtë botë, nuk do të jemi vetëm
ne. Nuk ka rëndësi sa kemi shkruar, çfarë kemi thënë, çfarë kemi bërë. Ne nuk do të mund të bënim atë që ke bërë ti. Në të vërtetë, paskëshe qenë ti ai që duhej të na këshillonte.” Mit’hati heshti. Ali Samiu mbeti i habitur, por e kuptoi menjëherë. E kishte fjalën për Gallatasarajin. Vetëm pas plot shtatëmbëdhjetë vjetësh, klubi i tij ishte shpallur kampion, vetëm pak ditë më parë. Ky titull, që kishte ardhur pikërisht në kohën kur Mit’hati ndodhej në Stamboll, ishte bërë një ngjarje aq e madhe, saqë Mit’hati kishte parë me sytë e vet se sa shumë e donin Ali Samiun, sa i madh ishte respekti që gëzonte dhe se si qindra të rinj viheshin në radhë për t’i puthur dorën. Cili prej Frashërllinjve kishte përjetuar një dashuri dhe nderim të tillë? Kush i kishte vlerësuar Abdylin, Samiun dhe Naimin, sa ishin ende në jetë?
Për më tepër libri është i pajisur edhe me një album të gjerë fotografik të arkivave personalë të familjes Frashëri, me pemën e familjes të hartuar nga vetë Sami Frashëri dhe një bibliografi mjaft të gjatë, ku autori është mbështetur për të shkruar këtë vepër. Edhe këto mendoj se janë me një interes të madh për publikun.
A mjafton vetëm pasioni për të sjellë vepra të tilla? Cili mendoni se do të duhej të ishte roli i strukturave shtetërore e akademike në këtë drejtim?
Mund të them se fillimisht ne menduam ta botonim këtë vepër duke pasur parasysh se shteti shqiptar ka përcaktuar një buxhet grantesh për mbështetjen e projekteve të ndryshme
kulturore. Me një shpresë të madhe, bazuar në rëndësinë e kësaj vepre monumentale për kombin tonë, paraqitëm projektin tone dhe aplikuam në programin e grantit, por, fatkeqësisht,
nuk fituam. Do të ishte në nderin e institucioneve tona ta mbështesnin botimin e kësaj vepre. Të njëjtën gjë bëmë me programin e grantit të Ministrisë së Kulturës Turke dhe fituam.
Ndonëse është një mbështetje që nuk mbulon as gjysmën e shpenzimeve të botimit, sërish mbetet një ndihmë domethënëse që ky botim të dilte kaq luksoz. Uroj shumë që edhe shteti shqiptar dhe strukturat akademike të ndërgjegjësohen pasi ta marrin në duar veprën dhe t’i japin vendin që meriton duke e bërë pjesë të kurrikulave të arsimit shqip.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.