ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nga Thoma Gëllçi Në një shkrim të publikuar dje në profilin e vet në Facebook, kryetari i Bashkisë së Lezhës,

Reforma teritoriale fillon nga fundi
Nga Thoma Gëllçi
Një pyetje fundamentale u ngrit dje nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, me anë të një statusi në Facebook. Sa autoritet real kanë mbetur bashkitë? Pyetja erdhi ditën kur komisioni parlamentar startoi fazën e dytë të reformës territoriale. Sipas Ndreut, kjo duhet të bëhet pikë nisëse e çdo debati mbi numrin e njësive vendore.
Teza e tij është e drejtpërdrejte. Harta nuk është problemi kryesor. Problemecentralizimi i kompetencave dhe dobësimi i vazhdueshëm i autonomisë vendore.
Ndreu shpjegon fushat konkrete ku qeveria qendrore vendos në vend të bashkive: uji, territoriumi, pronat publike, bregdeti, ndërtimi, financat dhe funksionet vendore. Pikërisht këto janë shërbimet që qytetari i lidh me bashkinë. Megjithatë, vendimet merren në Tiranë.
Kështu del argumenti i dytë: nuk mund të ketë vetëqeverisje kur vendimet për territorin merren larg tij. As autonomi, kur bashkitë mbajnë përgjegjësinë para qytetarëve, ndërsa kompetencat dhe burimet i kontrollon qendra.
Ndreu shkon më larg. Qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht ligjvënëse, administruese, vendimmarrëse dhe kontrolluese e të gjitha. Bashkitë nuk janë drejtorë rajonale të ministrive. Kryetarët janë të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët me mandat për të qeverisur, jo thjesht për të zbatuar.
Prandaj ai kërkon që reforma të qendrojë në tre pilastra: rikthimin e kompetencave, autonominë financiare dhe ndarjen e qartë të përgjegjësive. Përndryshe, rrezikohet një reformë tjetër vetëm në hartë, jo në mënyrën si qeveriset vendi. Siç përmbyll ai: "Reforma duhet të ndajë pushtetin, jo thjesht territorin."
Arsyetimi ka një logjikë të thjeshtë. Kur rruga prishte, kur mungon uji, kur del kanalizimi, qytetari nuk shkon te ministri. Shkon në bashki, sepse aty ka votuar dhe aty kërkon përgjigje. Shpesh dëgjon të njëjtën përgjigje: nuk varet nga ne, duhet miratim nga Tirana.
Atëherë pse e zgjodhëm pushtetin vendor, nëse për gjysmën e punëve duhet të presim kryeqytetin?
Rendi u përmbys. Më 9 tetor, Kuvendi vendosi 46 bashki në vend të 61. Pesëmbëdhjetë u shkrinë ose u bashkuan me fqinjët. Pyetjet e para duhej të ishin: çfarë pushteti u takon bashkive? Çfarë shërbimesh, me çfarë burimesh dhe kompetencash? Ne bëmë të kundërtën. Caktuam numrin dhe tani përpiqemi t'i japim kuptim.
Me fjalë të tjera, e nisëm nga fundi.
Pozicion të ngjashëm kishte shprehur edhe deputeti socialist Erion Braçe në Kuvend. Kritika e tij nuk u fokusoi në cilat bashki u shkrinë dhe cilat mbetën. Ai fliste për kompetenca, financim, funksionimin e pushtetit vendor. Votoi pro, por rezervat e tij mbetën publike.
Ndreu nuk ankohet me vonesë për numrin. Kërkon që reforma të mos përfundojë me një hartë të re.
S'ka dyshim që disa bashkime kishin arsyet. Por para të prekim hartën, duhej një bilanc i ndershëm i reformës së 2015-s. Çfarë funksionoi dhe çfarë jo? Ku u përmirësuan shërbimet, ku u kursyen para, ku u shtua burokracia? Sa kompetenca kaluan vërtet dhe sa mbetën në letër?
Kjo nuk u bë. Debati politik u përqendrua kryesisht te pyetja se cilat bashki zhduken dhe cilat mbeten.
Nuk është hera e parë. Te ne zgjidhja vendoset lart dhe diskutimi vjen më pas, për ta justifikuar. Debatohet, por brenda kufijve të një vendimi që është marrë tashmë. Modeli "me orientim nga lartë, por me iniciativë nga poshtë" nuk aplikitet. Tani orientimin, iniciativën, diskutimin dhe vendimin i bëjnë ata lart.
Megjithatë, ende mbetet hapësirë për diskutim. Harta u votua, por ligjet që rregullojnë funksionimin e pushtetit vendor janë ende në fazën e dytë.
Këtu duhen dëgjuar Ndreu, Braçe dhe kushdo që njeh nga afër hallet e bashkive: kryetarët e mëdha dhe të vogla, këshilltarët vendorë, specialistët e financave dhe qytetarët që përdorin këto shërbime çdo ditë.
Do të ishte mirë që edhe kryetarë të tjerë të flisnin kaq hapur. Të thoshin ku u lidhen duart, cilat vendime nuk marrin vetë dhe pse fondet nuk u dalin. Jo të presin vendimin e qeverisë dhe pastaj të dalin ta mbrojnë.
Reforma nuk bëhet për rehatinë e ministrave as për të vizatuar kufij sipas numrave të paracaktuara politikisht. Bëhet që qytetari të marrë shërbime më të mira dhe të dijë kujt t'i kërkojë llogari.
Sa bashki do të kemi, tashmë e dimë. Sa pushtet do të kenë, ende jo. Dhe kjo e dyta ka shumë më tepër rëndësi.
Mund t'i zbresim bashkitë nga 61 në 46, madje më pak. Por nëse për çdo vendim të rëndësishëm duhet të kthejnë sytë nga Tirana, mënyra si qeveriset vendi mbetet e njëjtë.
Kemi një hartë të re. Mbetet të shihet nëse do të kemi edhe pushtet vendor, apo thjesht 46 adresa të reja ku qytetarit do t'u thonë se vendimi merret në Tiranë.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.