ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një konsultimi me mësuesit, prindërit dhe shkollat për kufizimin e aksesit të të

**Rama për të miturit dhe rrjetet sociale: Konsultim me mësuesit dhe prindërit, deri në 16 apo 18 vjeç pa llogari individuale**
Kryeministri Edi Rama lajmëroi hapjen e një konsultimi me mësuesit, prindërit dhe shkollat, i cili do të trajtojë kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama tha se një nga pyetjet në diskutim do të jetë edhe kufiri i moshës. Sipas tij, duhet vendosur nëse kjo kufi do të jetë 16 apo 18 vjeç, deri në të cilin fëmijët nuk duhet të zotërojnë llogari individuale në platformat sociale.
Kreu i qeverisë theksoi se rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën e socializimit të të rinjve. Ato, sipas tij, kanë nxitur një formë të rrezikshme izolimi dhe e kanë mjegulluar kufirin midis botës reale dhe asaj virtuale.
Duke iu referuar përfshirjes së të miturve në protestat e dhunshme, Rama shtoi se fenomeni kërkon një qasje të re ndaj ndërveprimit fizik mes njerëzve.
“Kjo situatë e re e gatuar me vite në Europë e Shqipëri si rezultat i arsyeve që janë sa to ngjashme aq edhe të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve. Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike dhe një kapërcim të kufijve mes reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë si një mundësi për të hyrë fizikisht në një playstation dhe duhet hapur debati deri kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, dhe deri në cilin kufi moshe, 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Do të fillojmë një konsultim siç bëmë kur na u desh të kufizojmë TiKTok-un, do të fillojmë konsultimin me mësuesit, prindit, shkolla për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit, një gjë e që është një trend i identifikueshëm në një sërë vendesh demokratike”, tha Rama.
Përveç kufizimit të aksesit në rrjetet sociale, kryeministri vlerësoi edhe rëndësinë e shtimit të aktiviteteve sociale për fëmijët, në bashkëpunim me shoqërinë civile. Ai theksoi se këto aktivitete duhet të përfshijnë një gamë të gjerë angazhimesh, nga sporti te kultura.
Një masë tjetër e paralajmëruar nga Rama është zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkolla deri në orën 17:00, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor.
“E rëndësishme është puna që duhet bërë bashkërisht midis nesh dhe shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve që shtrihen nga sporti te kultura. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet të posaçëm në mënyrë që prindërit të vazhdojnë të punojnë dhe fëmijët të jenë në ambiente e shkollave deri në orën 5 pasdite”, bëri me dije Rama.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.