ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Zhvillimet e fundit politike dhe agjenda e kryeministrit Edi Rama mbizotëruan edhe sot në mbledhjen e Komisionit të Kulturës. Këtë

Debatet për Ramën zhvendosen edhe në Komisionin e Kulturës, Zhupa përmend dosjet e SPAK-ut dhe librin e arkitektëve, socialistët kundërpërgjigjen
Figura dhe axhenda e kryeministrit Edi Rama dominuan edhe sot punimet në Komisionin e Kulturës.
Edhe pse në rend dite ishte një çështje tjetër, diskutimi u kthye sërish te zhvillimet e fundit politike. Kryetarja Ina Zhupa e lidhi debatin me praninë e kreut të qeverisë në Samitin e Turizmit në Bruksel. Ai aktivitet ishte mbajtur një ditë më parë.
“Pashë një kryeministër që me trup ishte para gazetares, por me mendje ishte duke lexuar dosjet e SPAK-ut sa herë i ka dalë emri, sa herë përflitet për takimet e tij dhe mesazhet me Vlora Hysenin, Ergys Agasin, me të gjithë grupin e strukturuar kriminal”, tha Ina Zhupa.
Në sallë ajo u shfaq e përgatitur. Me vete kishte sjellë botimin e njohur “Albanian Files” (Dosjet Shqiptare), që përmbledh idetë e projekteve të arkitektëve të huaj. Për këtë libër PD ka dorëzuar kallëzim në SPAK.
“Mendova se do e kishte marrë me vete librin te strategjia e turizmit, por ka frikë se është dosje SPAK-u. I rëndonte ndërgjegjen po ta mbante në dorë”, tha Ina Zhupa.
Replika erdhi nga nënkryetari Erion Malaj dhe deputetë të tjerë socialistë.
“Nuk e vija në diskutim që ju do vendosnit kasetën, përsërisni të njëjtat gjëra. Por ju them se unë nuk përfaqësoj 800 mijë shqiptarë që votuan PS. Kjo narrativë se kryeministri nuk është në lartësinë e duhur për të përfaqësuar Shqipërinë në një event turizmi, nuk qëndron”, tha Erion Malaj.
Në të njëjtën linjë foli edhe Briseida Çakërri.
“Mos na e qani hallin ne, ne jemi këtu për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Briseida Çakërri.
Me metaforë iu përgjigj kritikave të opozitës deputeti shkrimtar Loer Kume.
“Sot kanë dritën e skenës dy entitete, i pari është drejtësia që vazhdon punën e saj, i dyti, shkrimtarët që ndahen në shkrimtarët të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj që merren me idetë e të nesërmes”, tha Loer Kume.
Kryetarja Zhupa reagoi pa vonesë.
“Ka dy lloj politikanësh. Mediokër që mendojnë për zgjedhjet e radhës dhe ka politikanë të mëdhenj që mendojnë për gjeneratat e radhës”, tha Ina Zhupa.
Pas 30 minutash debat, Komisioni iu rikthye rendit të ditës. Vijoi shqyrtimi i projektligjit për të drejtat e autorit.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.