ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se sesioni i tretë i legjislaturës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se sesioni i tretë i legjislaturës do të jetë një periudhë intensive pune për Kuvendin, me fokus kryesor shqyrtimin e projektbuxhetit dhe të nismave ligjore të depozituara.
Balla u bëri thirrje kryetarëve të komisioneve parlamentare që të trajtojnë me prioritet të gjitha projektligjet e disponueshme, në mënyrë që Kuvendi të përmbushë afatet kushtetuese dhe ligjore.
Duke iu referuar debatit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me statusin e magjistratëve, ai theksoi se Kuvendi ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara dhe se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar brenda afateve projektligjin që adreson këtë vendim.
“Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera”, u shpreh Balla.
Ai nënvizoi se përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë ekskluzive e Kuvendit dhe se respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve mbetet thelbësor për funksionimin e shtetit ligjor.
Në përfundim, Balla mbështeti propozimin që projektligji i depozituar nga deputetët socialistë të shqyrtohet sa më shpejt në komisionet parlamentare dhe të kalojë për miratim në seancë plenare sipas kalendarit të Kuvendit.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.