ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Pala greke rikthen orarin dimëror në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafëbotës, 4 orë më pak shërbim, ja fasha e

Orari dimëror rikthehet në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Botës: katër orë më pak shërbim
Nga fillimi i nëntorit, pika kufitare e Qafëbotës punon sipas orarit dimëror. Koha e shërbimit për udhëtarët dhe automjetet që lëvizin mes Shqipërisë dhe Greqisë u reduktua me katër orë.
Autoriteti i Pavarur i të Ardhurave Publike në Greqi (AADE) njoftoi se pika e Mavromati (Qafëbotë) do të jetë e hapur prej orës 07:00 deri në 21:00, sipas kohës greke. Ky rregull vlen nga 1 nëntori deri më 31 mars.
Gjatë verës, shërbimi në këtë pikë zgjaste 18 orë: prej 05:00 deri më 23:00 sipas orës greke, ose prej 06:00 deri më 24:00 sipas orës shqiptare. Me orarin dimëror, kalimi nëpër Qafëbotë kufizohet jashtë fashës së caktuar.
Zgjatja e orarit të funksionimit të kësaj pike ka qenë temë e vazhdueshme diskutimi mes autoriteteve shqiptare dhe greke, sidomos për shkak të rritjes së flukseve tregtare dhe turistike. Bisedimet kanë zhvilluar në nivel vendor, me pjesëmarrjen e deputetëve të Sarandës dhe Igumenicës.
Me nismën e deputetit të Sarandës, Vasil Llajo, u përgatit dhe u mbështet nga homologë grekë një letër-kërkesë për kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, që të vendoset shërbim 24-orësh në Qafëbotë, të paktën gjatë sezonit turistik. Kërkesa iu dorëzua Mitsotakisit gjatë një vizite të tij në Igumenicë.
Megjithatë, shërbimi 24-orësh nuk u realizua as gjatë sezonit turistik të këtij viti. Tashmë, me hyrjen në fuqi të orarit dimëror, pika hapet dy orë më vonë në mëngjes dhe mbyllet dy orë më herët në mbrëmje, krahasuar me orarin veror.
Ndërkohë, për mjetet e rënda dhe autobusët e linjave të rregullta që duhet të udhëtojnë jashtë orarit të përcaktuar, shërbimi do të ofrohet përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.