ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke theksuar se miqësia mes

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit u vlerësuan lart nga kryediplomati izraelit Gideon Sa’ar. Ai foli për një miqësi që shkon përtej diplomacisë zyrtare.
Sipas tij, lidhja mes dy popujve e ka burimin te historia. Qëndrimi i shqiptarëve gjatë Holokaustit mbetet provë e fortë e solidaritetit njerëzor, tha ministri.
Deklaratat u bënë në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Aty Sa’ar u ndal te shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore. Për Izraelin, nënvizoi ai, ky kapitull nuk harrohet.
“Miqësia jonë është më e thellë se diplomacia. I ka rrënjët në histori. Gjatë Holokaustit, kur hebrenjtë përndiqeshin në mbarë Evropën, shqiptarët ju hapën shtëpitë dhe shpëtuan jetë. Kjo ishte Besa, kodi juaj i nderit. Një zotim për të ndihmuar ata në nevojë”, deklaroi Sa’ar.
Ai theksoi se Shqipëria ishte rasti i vetëm në kontinent që veproi kështu. Kjo histori, tha ai, do të mbetet gjithmonë në kujtesën e popullit izraelit. “I vetmi vend në kontinent që e bëri këtë gjë. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë gjë”, u shpreh kryediplomati izraelit.
Një vlerësim tjetër lidhej me qëndrimin e Tiranës pas 7 tetorit. Sa’ar e cilësoi mbështetjen e Shqipërisë për Izraelin si vijim të së njëjtës qasje morale. Ajo qasje u dëshmua edhe në momentet më të errëta të historisë, sipas tij.
“Shohim sot të njëjtën qasje morale në mbështetjen e qartë të Shqipërisë për Izraelin pas masakrës së 7 tetorit”, tha ai.
Në fokus të fjalës ishte edhe bashkëpunimi dypalësh. Një vit më parë dy vendet nënshkruan marrëveshjen për shëndetësinë. Tani partneriteti po zgjerohet.
“Nënshkruam vitin e kaluar marrëveshje dypalëshe për shëndetësinë, sot e zgjerojmë partneritetin me një marrëveshje më të gjerë mes qeverive, duke krijuar mundësi për bashkëpunim më të thellë mes dy popujve tanë”, deklaroi ministri.
Sa’ar përmendi edhe sigurinë kibernetike. Sulmet digjitale, theksoi ai, rrezikojnë çdo shtet modern. Bashkërendimi mes dy vendeve ndihmon në mbrojtjen e qytetarëve dhe institucioneve. “Sulmet kibernetike cenojnë çdo vend modern. Së bashku mund të mbrojmë më mirë qytetarët dhe institucionet tona”, u shpreh ai.
Turizmi ishte një tjetër pikë e theksuar. Numri i vizitorëve izraelitë në Shqipëri është rritur shumë vitet e fundit. Nga rreth 7 mijë në vit, shifra ka arritur në rreth 100 mijë.
“Numri i vizitorëve izraelitë në Shqipëri është rritur nga 7 mijë në vit në 100 mijë. Rritje me shpejtësi dhe e jashtëzakonshme. Izraelitët ndihen të sigurt dhe të mirëpritur në Shqipëri”, deklaroi Gideon Sa’ar.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.