ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj avokatit Uljan Barjami, i cili u ndalua pak kohë më

Me vendim të Gjykatës së Tiranës, çështja penale ndaj avokatit Uljan Barjami është pushuar. Juristi ishte ndaluar pak kohë më parë në Elbasan, pas një përplasjeje në sallën e gjyqit, ku dyshohej se kishte kanosur dhe kundërshtuar prokurorin Gjergji Ceka.
Ndalimin e urdhëroi oficeri i Policisë Gjyqësore me iniciativë të vetën. Në atë moment Barjami po ushtronte detyrën e mbrojtësit ligjor të të dyshuarit Maksim Suçi.
Sipas gjykatës, avokati nuk ka konsumuar vepër penale. Të zbardhura janë edhe hollësitë e debatit që u zhvillua në sallë, aty ku Barjami u përplas verbalisht me prokurorin Ceka dhe me gjyqtaren Megi Strakosha.
Gjatë seancës, mbrojtësi pretendoi se në kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e arrestit dhe për caktimin e masës së sigurisë ishin pasqyruar të dhëna të rreme. Ai deklaroi se do të ndiqte rrugën ligjore kundër prokurorit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore. Fjalët e tij shkaktuan reagimin e gjyqtares, e cila e paralajmëroi disa herë të hiqte dorë nga gjuha kërcënuese dhe të përqendrohej te mbrojtja e klientit. Në debat ndërhyri edhe prokurori Ceka, i cili paralajmëroi se avokati do të arrestohej.
Transkripti i debatit në sallën e gjyqit:
Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Tani, kërkesa e prokurorit për vlerësim arresti dhe për caktim mase bazohet te disa prova, apo jo? Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rremë të të dhënave. Dhe që do të merrem personalisht edhe me prokurorin, edhe me të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore…
Prokurori Gjergji Ceka: Aa… jo, jo…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat! Avokat!
Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Do të bëj kallëzim…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Hera e fundit që…
Prokurori Gjergji Ceka: Do të arrestohet ai…
Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Zonja gjyqtare… do të bëj kallëzim…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat! Avokat! Nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit!
Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Me rrugë ligjore… jo…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle, me kë të doni ju. Të thashë… Avokat, do të marr masa nga ato që parashikon Kodi i Procedurës. Këto lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi, me mua si gjyqtare, nuk të lejohen! Përqendrohu te mbrojtja që do t’i bësh të pandehurit tënd! Ose do t’i caktoj ndonjë avokat tjetër kryesisht dhe do të nxjerr përjashta! Avokat, nëse vazhdon me këtë gjuhë komunikimi. Përqendrohu te mbrojtja, po të them! Paralajmërimi i fundit!
Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Pasqyrim të të dhënave të rreme, si nga policia, si nga prokuroria. E pamë të gjithë qartë që as nga shtetasi Maksim Suçi, as nga persona të tjerë nuk ka kundërshtim. Nuk ka qenë fare në tavolinë. Kështu që, përfundimisht, kërkojmë vlerësimin e paligjshëm të arrestit dhe mos caktimin e asnjë mase sigurie.
Gjyqtarja Megi Strakosha: Faleminderit!
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.