ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se marrëveshja SHBA-Rusi për naftën dizel “dërgon një mesazh negativ” dhe nuk do të

Macron e quan marrëveshjen SHBA-Rusi për dizelin mesazh negativ pa efekt në çmime
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka cilësuar marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për naftën dizel si një sinjal negativ. Sipas tij, ajo nuk do të sjellë asnjë efekt në çmimet globale.
Vlerësimi u bë pas takimit të Këshillit Evropian. Macron theksoi se sasitë ruse janë tashmë pjesë e tregut ndërkombëtar dhe blihen prej kohësh nga shtete të ndryshme.
“Vëllimet e naftës dizel që vijnë nga Rusia ekzistojnë tashmë, ato blihen nga vende të ndryshme dhe janë tashmë në tregun global. Prandaj, nuk është e vërtetë se ato do ta zgjidhin problemin e tregut global”, tha Macron.
Ai shtoi më tej se nisma nuk do të prodhojë rezultatin e pritur nga pala amerikane.
“Besoj se kjo nuk do të ketë asnjë ndikim për presidentin Trump”, u shpreh ai.
Sipas kreut të Elizesë, vendimi rrezikon të krijojë ndasi dhe pasiguri mes aleatëve. Ai e përshkroi qasjen si “të papërshtatshëm dhe joefektiv”, duke paralajmëruar se “dërgon një mesazh negativ dhe krijon përçarje ose dyshime”.
Megjithatë, Macron tha se Parisi do të vijojë bashkëpunimin me Uashingtonin në mirëbesim. Qëllimi, sipas tij, mbetet sqarimi i shifrave dhe gjetja e masave reale për uljen e kostos së energjisë.
“Të gjithë biem dakord për një gjë: çmimet e naftës dizel, benzinës dhe gazit duhet të ulen, por kjo nuk është ajo që do t’i ulë ato në mënyrë efektive. Kjo nuk është përgjigjja e duhur”, deklaroi presidenti francez.
Javën e kaluar, në përpjekje për të frenuar shtrenjtimin, presidenti amerikan Donald Trump hoqi sanksionet mbi eksportet ruse të dizelit. Ai deklaroi se Moska do të furnizojë menjëherë tregun amerikan dhe atë global me më shumë se 300.000 tonë metrikë, ekuivalente me 2.25 milionë fuçi naftë dizel.
Po ashtu, Trump njoftoi një armëpushim për infrastrukturën energjetike mes Rusisë dhe Ukrainës.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.