ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë, në ditën e shtatë të

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë, në ditën e shtatë të saj, gjatë një interviste në emisionin “Now me Erla Mellin” në Euronews Albania.
Klosi e ndau protestën në dy faza, duke deklaruar se gjatë ditës tubimi ishte zhvilluar në mënyrë paqësore, ndërsa situata kishte ndryshuar pas rënies së errësirës, kur, sipas tij, persona me kapuç kishin nisur të hidhnin gurë.
“Pra ajo që edhe sot ka vazhduar ka qenë një histori e ndarë në dy pjesë. Pra deri nga mbasditja ka pasur një protestë të studentëve, le të themi studentëve, por protestuesve paqësorë, të cilët gjatë gjithë ditës e shoqëruan protestën e tyre në bulevard pa asnjë incident”, u shpreh Klosi.
“Dhe kur errësira ra, dolën ata me kapuç që filluan të gjuajnë me gurë edhe të kërkojnë dëmtim të rendit publik”, vijoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së deklaroi se, sipas informacionit që kishte, gjatë ditës nuk kishte pasur persona të dëmtuar që të ishin paraqitur në spitale.
“Por që pa dyshim, siç e ndoqët dhe nga gazetarët tuaj, nuk e di nga inserti se s’kisha tamam mendjen, por nga gazetarët ndjeva që pak a shumë raportuan korrekt, nuk ka pasur të dëmtuar në ditën e sotme. Pra në spitale nuk është paraqitur asnjë i dëmtuar. Nuk ka pasur, le të themi, shumë përplasje, sepse forca e pjesës negative apo pjesës së dhunës ka rënë”, tha Klosi.
Ai argumentoi se Policia e Shtetit do të ndërhyjë në rastet kur protestat shoqërohen me akte dhune, duke theksuar se përgjegjësia e institucioneve është të mbrojnë hapësirat publike dhe bizneset.
“Por në rastet kur forcat e errëta, ata të cilët realisht nuk kanë asnjë lidhje as me jetën studentore, as me jetën të qytetit, ata të cilët kërkojnë ta zgjidhin këtë problem me dhunë, shteti padyshim do të përgjigjet për të ruajtur qenësinë publike, për të ruajtur bizneset”, deklaroi ai.
Gjatë transmetimit, teksa shfaqeshin pamje nga bulevardi, Klosi komentoi përdorimin e ujit me presion nga policia, duke thënë se ai po përdorej për të larguar protestuesit.
“Jo, këtu janë ndezur vetëm ujë, ndezur vetëm ujë për të larguar protestuesit atje, sepse i pashë teksa vraponin një pjesë e protestuesve”, u shpreh Klosi.
Ai tha se protesta kishte nisur në orën 10:00 dhe se deri në orën 18:00, sipas tij, ishte zhvilluar pa incidente të rënda.
“Po pra, kemi pasur dhe në ditën e sotme, në ditën e shtatë të protestës, një protestë e cila realizohet brenda një perimetri të caktuar që është, le të themi, pjesa vizive e qytetit dhe pastaj kjo protestë nuk ka pasur asnjë tonë në rrethe”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.
Klosi e cilësoi dhunën e mbrëmjes si veprim të personave që, sipas tij, nuk kanë lidhje me jetën studentore, ndërsa këmbënguli se protesta e zhvilluar gjatë ditës kishte qenë e qetë.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.