ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ekspertët vlerësojnë se inflacioni prej 7.1 për qind në Kosovë po rëndon veçanërisht qytetarët me të ardhura të ulëta, ndaj

**Inflacioni 7.1% në Kosovë, ekspertët kërkojnë veprim: po rëndohet jetesa e qytetarëve**
Ekspertët ekonomikë vlerësojnë se inflacioni prej 7.1 për qind në Kosovë po godet më fort shtresat me të ardhura të ulëta. Nga qeveria ata kërkojnë masa konkrete për zbutjen e tij.
"Një normë kaq e madhe, ose dyfishimi në raport me rajonin, për mendimin tim, është shqetësues sepse sigurisht që ndikohet jashtëzakonisht shumë tek qytetarët të cilët kanë të ardhura të vogla. Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin hapa të duhur, në mëryrë që të ulin këtë inflacion, i cili po ndikon në jetesën e qytetarëve", tha Lulzim Beqiri.
Nga ana tjetër, Safet Kërxhaliu, ish-kryetar i Dhomës Ekonomike të Kosovës, kërkon mekanizma të qartë nga ekzekutivi. Sipas tij, manevrimi me akcizën në produktet strategjike do ta ndihmonte drejtpërdrejt shportën e qytetarit. Të njëjtin efekt do të jepte përgjysmimi apo ngrirja e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet esenciale.
"Qeveria duhet të gjejë mekanizma për të luftuar inflacionin dhe në këtë drejtim manevrimi apo oscilimi, qoftë me akcizën në produkte strategjike, qoftë në përgjysmimin apo ngrirjen e tatimit në vlerën e shtuar në produkte esenciale, ndoshta kishte me qenë vetë një ndihmë që do të ndikonte në shportën e qytetarit", tha Kërxhaliu.
Ndërkaq, shkaqet e rritjes së çmimeve ekspertët i shohin të lidhura ngushtë me varësinë e lartë nga importi. Presionin e shtojnë kostot e energjisë elektrike dhe të transportit. Të njëjtën gjë bën edhe mungesa e mbikëqyrjes së tregut.
Beqiri vëren se pasojat preken drejtpërdrejt te familjet më të varfra. Sipas tij, rreth 25.000 familje ballafaqohen me mbijetesë. Numri i qytetarëve që varen nga ndihmat e shtetit shkon në rreth 100.000, ose 1/3 e popullsisë.
"Në realitet, shumë qytetarë, rreth 25.000 familje ballafaqohen me mbijetesë, me një numër rreth 100.000 qytetarë apo 1/3 e popullsisë e cila varet nga ndihmat e shtetit. Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që të ndërmerren masa sidomos në uljen e kostos së energjisë elektrike, pastaj mbështetjen e bizneseve, sidomos bizneseve prodhuese në mënyrë që me ulë sadopak varësinë nga importi", shtoi ai.
Kërxhaliu, pak më herët, kishte theksuar se ndihmat sociale nuk mund të zëvendësojnë zhvillimin. Rruga, sipas tij, kalon përmes partneritetit me sektorin privat, e në veçanti me atë prodhues.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.