ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ergys Agasi ka reaguar përmes avokatit të tij, Maksim Haxhia, lidhur me të dhënat dhe pretendimet e bëra publike në

Ergys Agasi hedh poshtë takimet me ish-kryen e SHISH-it, avokati Haxhia flet për akuzat e SPAK: Sfidon këdo për bisedat e publikuara
Ergys Agasi ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij në kuadër të hetimeve të SPAK. Qëndrimi i tij është përcjellë nga mbrojtësi ligjor, Maksim Haxhia.
Avokati ka paraqitur versionin e klientit. Ai ka mohuar pretendimet për takime me ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Po ashtu ka hedhur poshtë pretendimet për dokumente që dyshohet se janë gjetur në mjetin e Agasit.
Në një intervistë për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, Haxhia ka shpjeguar pozicionin e të mbrojturit të tij. Ai u shpreh:
“Po e deklaroj çfarë kam biseduar me klientin dhe më ka thënë: asnjëra nga ato nuk qëndron. Kryetarja e shërbimit informativ nuk ka qenë asnjëherë në zyrën time. Nuk e kam takuar asnjëherë, në kuptimin që të kenë takime të vazhdueshme. Se çfarë ruajnë ata në kuptimin e funksionimit të atij institucioni është tjetër gjë, këtë nuk e di…, që është një lidhje, që është aset, a është në shërbim… këtë nuk di ta them. Vetëm di të them që ai sfidon. Më ka thënë që sfidoj këdo që të thotë: “Unë kam bashkëpunuar me sekretet shtetërore” dhe e dyta: “Që në makinën që kam pasur në shtëpi janë gjetur dokumente”.”
Mbrojtja ka kontestuar edhe versionin e qarkulluar për materialet e gjetura në automjet. Sipas Haxhias, klienti i tij është i gatshëm të përballet me çdo pretendim.
“Sfidon këdo për ato biseda që kanë nxjerrë në media ose në publik dhe thotë: “Po të ishin se në makinën time, që aty ka qenë, nuk ka lëvizur, se është vërtetuar që nuk është makina me të cilën është kryer rrëmbimi, të jenë gjetur materiale të shërbimit informativ”. Kanë vënë në gojën e Agasit që ai ka deklaruar që: “I kam pasur këto dokumente dhe i kam lënë në makinë”. Jo, nuk është e vërtetë, aty kam qenë në proces. Këtë kundërshton ai. Ai thotë, edhe prokurorinë dhe këdo tjetër që të ballafaqohet”, deklaroi avokati.
Haxhia ngriti dyshime edhe për publikimin e disa komunikimeve telefonike. Sipas tij, ato nuk kanë asnjë vlerë për hetimin. Ai kërkoi që çdo provë e pretenduar të depozitohet në dosje.
Mbrojtja kërkon transparencë të plotë. Vetëm kështu, sipas saj, mund të zhvillohet një përballje ligjore e drejtë.
“Ne kërkojmë që prokuroria të distancohet, ose nëse janë të vërteta, t’i fusin në dosje, jo po të bëhet kallëzim ndaj prokurorisë. Jo, t’i vërë në dosje dhe ta bëjmë luftën ballë për ballë, pra ta bëjmë dyluftimin juridik me provat që ke, por e them përsërit, nuk besoj që prokuroria t’i ketë nxjerrë, sepse si ka, nuk i ka. …Ne, në cilësinë e mbrojtjes, na e kanë bërë mbrojtjen gati të pamundur. Ky variant fillon vazhdimisht, duke i bërë gjërat në publik, mbarset publiku dhe ne atëherë duhet të sqarojmë publikun dhe pastaj të bëjmë mbrojtjen juridike. Për mua është bërë një strategji dhe taktikë që ta vërë para fajësisë zotin Agasi”, u shpreh Haxhia.
Pak më parë gjykata miratoi tre masa të kërkuara nga SPAK. Ato lidhen me nxjerrjen e sekretit dhe përkrahjen e autorit të krimit. Mes personave të prekur është edhe ish-kreu i SHISH-it. Ai ndodhet aktualisht në arrest shtëpiak.
Deklaratat e mësipërme pasqyrojnë vetëm qëndrimin e mbrojtjes së Ergys Agasit. Hetimet e SPAK dhe pretendimet e ngritura mbeten pjesë e një procesi ende në zhvillim.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.