ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Aktorja dhe regjisorja Adelina Muça ka ndarë një rrëfim prekës për kolegun dhe mikun e saj, Gjergj Mena, i cili

Titulli: “E la kimioterapinë për festivalin”/ Adelina Muça shpreh vete për sakrificat e Gjergjit Mena
Aktorja dhe regjisorja Adelina Muça ka ndarë një rrëfim të vogël prekës për mikun e saj, Gjergj Mena, i cili u nda nga jeta së fundmi.
E ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ajo e kujtoi me emocione njeriun me të cilin kishte ndarë jo vetëm skenën, por edhe miqësi të veçantë ndër vite.
Muça tregoi se Gjergjin e kishte njohur që pas përfundimit të Akademisë së Arteve. Fillimisht ishin thjeshtë kolegë, më pas miq, duke ndarë së bashtë momente të bukura, udhëtime dhe kujtime familjare. Ajo e përshkroi si një njeri të jashtëzakonshëm, nga ata njerëz të rrallë që lënë gjurmë te të gjithë ata që kanë fatin t’i njohin.
“Vërtet na erdhi keq. Përveçse ishte shumë i ri, ishte një djalë i jashtëzakonshëm. Ndër njerëzit e rrallë që ne mund të hasim, qoftë në jetën e përditshme dhe qoftë edhe në punë”, u shpreh aktorja, duke rikthyer në kujtesë lidhjen e tyre ndër vite.
Një nga momentet që e ka prekur më shumë është përkushtimi i Gjergj Menës ndaj teatrit dhe të rinjve. Muça tregoi se takimi i fundit me të lidhej me përgatitjet për një festival të dedikuar të rinjve, një projekt i madh për të cilin ai kishte bërë sakrifica të jashtëzakonshme, duke mos e ndërprerë angazhimin e tij artistik as gjatë trajtimit me kimioterapi.
“Herën e fundit kur e takova, ishte duke bërë gati festivalin për të rinjtë, një projekt gjigant që ai arriti që të linte përgjysmë kimioterapinë, vetëm që të vazhdonte festivalin. Dhe për këtë unë kërkoj një duartrokitje të madhe për atë njeri, sepse ia ka kushtuar jetën, ia kushtoi jetën teatrit”, rrëfeu ajo.
Për aktoren, kontributi i tij nuk matet vetëm me veprat artistike, por mbi të gjitha me gjurmët që la te brezat e rinj. Përmes aktiviteteve kulturore dhe teatrit, Gjergj Mena ndihmoi shumë të rinj të zbulonin talentin e tyre dhe të gjenin rrugën drejt artit, duke krijuar mundësi për artistët e së ardhmes.
“Mbase nuk e mori vlerësimin e duhur, siç ndodh shpesh, por që ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Gjithë ata fëmijë, gjithë ata të rinj që janë bërë pjesë e aktiviteteve kulturore, janë bërë pjesë e teatrit, kanë fituar shkollën për t’u bërë artistë, artistët e rinj. Domethënë, ky ka qenë një kontribut që Gjergji e ka dhënë dhe i jemi falënderues”, tha Muça.
Mes kujtimeve të bukura, regjisorja ndau edhe një nga pengjet që i ka mbetur pas ndarjes së tij nga jeta. Ajo tregoi se pas premierës së shfaqjes “Jerma”, në muajin korrik, ku ishte pjesë edhe vajza e saj, kishin planifikuar të kalonin disa ditë pushime së bashku. Madje, kishin lënë një darkë dhe kishin folur për planet që do të realizonin, por gjithçka ndryshoi papritur.
“E kishim lënë në fakt që në korrik patëm atë premierën e fundit ku ishte pjesë edhe ime bijë, ‘Jerma’, edhe e kishim lënë, ngrënëm një darkë dhe e kishim lënë që do të shkonim me pushime bashkë. Pas dy ditësh që unë do të shkoja nuk e gjeta, sepse aty kishte pësuar këtë goditjen e fundit”, tregoi ajo me emocione.
Adelina Muça kujtoi se Gjergji kishte treguar një forcë të jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj periudhe, duke mos e lënë sëmundjen t’i merrte përkushtimin ndaj asaj që donte më shumë. Një njeri që, pavarësisht vështirësive, vazhdoi të mendonte për teatrin, të rinjtë dhe të ardhmen e artit.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.