ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Elden Tarja, Kristian Ymeri, i njohur edhe me nofkën “Shkambi”, dhe Vinçens Piroli janë paraqitur këtë të hënë në Gjykatën

Elden Tarja, Kristian Ymeri, i njohur edhe me nofkën “Shkambi”, dhe Vinçens Piroli janë paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Lezhës, nën masa të rrepta sigurie. Gazetari Elvis Hila raportoi për RTSH se tre të arrestuarit u shoqëruan drejt ambienteve të gjykatës nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
Ata u vunë në pranga pak ditë më parë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Detajet”, pasi dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një atentat. Sipas Policisë, tre personat Elden Tarja, 25 vjeç, banues në Barbullush; Kristian Ymeri, 34 vjeç, banues në Kamzë dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin dyshohen për bashkëpunim në planifikimin e një vrasjeje.
Sipas të dhënave të Policisë, dy prej të arrestuarve u konstatuan duke lëvizur me një motomjet në aksin e vjetër rrugor Pllanë–Lezhë. Ata dyshohet se ishin të armatosur dhe mbanin skafandra, ndërsa po përgatiteshin të kryenin krimin. Ndërkohë, personi i tretë dyshohet se bashkëpunonte me ta, duke i transportuar me automjet për t’u mundësuar largimin nga zona pas atentatit të planifikuar.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës.
Pas marrjes së informacionit për lëvizjet e dyshimta të dy personave me skafandra në rrugën e vjetër Pllanë–Lezhë, shërbimet e Policisë organizuan kontrolle dhe patrullime në zonat ku dyshohej se kishte kaluar motomjeti.
Si rezultat, në segmentin rrugor Gjadër–Barbullush u ndalua një automjet tip “Volkswagen”, në të cilin udhëtonin tre të dyshuarit.
Gjatë kontrolleve fizike, në motomjet, si dhe në banesën e njërit prej të arrestuarve dhe në ambientet përreth saj, u gjetën dhe u sekuestruan tri armë zjarri pistoleta, me krehra e fishekë, si dhe municion luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu motomjeti i dyshuar i përdorur në këtë rast dhe automjeti tip “Volkswagen”. Nga verifikimet e kryera rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi. Sipas Policisë, çelësat e tij iu gjetën 34-vjeçarit Kristian Ymeri, i njohur si “Shkambi”.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.