ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nga Ilir Beqaj Kanë kaluar më shumë se 23 vjet nga miratimi i ligjit për krijimin e gjykatave për krime

Nga Ilir Beqaj
Kanë kaluar më shumë se 23 vjet nga miratimi i ligjit për krijimin e gjykatave për krime të rënda në Shqipëri dhe afro shtatë vjet nga fillimi i funksionimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Megjithatë, një çështje që duhej të ishte prej kohësh e qartësuar në drejtësinë penale shqiptare vazhdon të krijojë dilemma.
Pyetja eshte se çfarë konsiderohet krim i rëndë në Republikën e Shqipërisë?
Kjo nuk është një pyetje thjesht teorike, akademike apo terminologjike. Përgjigjja e saj ka pasoja të drejtpërdrejta për të drejtat dhe liritë themelore të individit. Neni 228, pika 3, shkronja “c”, i KPrP e lidh një prej kushteve të veçanta për caktimin e masave të sigurimit personal me rrezikun që personi të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet. Ky vlerësim mund të shërbejë edhe për justifikimin e masës më të rëndë të sigurimit personal arres në burg.
Pikërisht për këtë arsye, përcaktimi i konceptit të krimit të rëndë nuk mund të mbetet një çështje e paqartë, e zgjidhur rast pas rasti nëpërmjet interpretimeve të ndryshme. Është shqetësuese që, edhe pas kaq vitesh funksionimi të juridiksionit të posaçëm, për interpretimin e këtij koncepti kërkohen zgjidhje te Konventa e Palermos, duke përdorur pragun e dënimit maksimal prej të paktën katër vjetësh, të përcaktuar për qëllimet specifike të asaj Konvente.
Kjo dilemë nuk është hipotetike. Në jurisprudencen e saj te vitit 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, shprehet:
“Për konceptin e ‘krimit të rëndë’, në mungesë të një përkufizimi në K.Pr.Penale, i referohemi Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar […]”
Në vijim, gjykata përdor përkufizimin e “krimit serioz” sipas kësaj Konvente, me pragun e dënimit maksimal prej të paktën katër vjetësh burgim. Duhet theksuar se gjykata flet shprehimisht për mungesën e një përkufizimi në Kodin e Procedurës Penale, jo për mungesën e çdo trajtimi të konceptit në legjislacionin penal shqiptar. Pikërisht kjo mënyrë interpretimi është objekt i analizës që vijon.
Por a është vërtet e nevojshme t’i drejtohemi një konvente ndërkombëtare për të kuptuar çfarë janë krimet e rënda në Shqipëri? A nuk e ka trajtuar ligjvënësi shqiptar këtë koncept? Dhe a mund të përgjithësohet një përkufizim i hartuar për luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar në të gjithë drejtësinë penale shqiptare, veçanërisht kur prej tij mund të varet kufizimi i lirisë personale?
1. Origjina e nenit 75/a: ligji nr. 8813/2002 dhe kriteri fillestar i dënimit
Analiza historike nuk fillon në vitin 2003. Neni 75/a u shtua në Kodin e Procedurës Penale me ligjin nr. 8813, datë 13.06.2002, pra përpara miratimit të ligjit nr. 9110/2003 për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krime të rënda. Kjo kronologji ka rëndësi: fillimisht ligjvënësi ndërtoi bazën procedurale të kompetencës së posaçme dhe më pas organizoi institucionet që do ta ushtronin atë.
Në formulimin fillestar të vitit 2002, sipas historikut legjislativ , neni 75/a përdorte, krahas referencave ndaj veprave të caktuara, edhe një kriter të përgjithshëm të lidhur me ashpërsinë e dënimit: krimet për të cilat dënimi i parashikuar kishte minimum jo më pak se 15 vjet burgim. Duhet theksuar se ky ishte kriter i MINIMUMIT të dënimit, jo i maksimumit; pra nuk ishte i barasvlershëm me pragun e Konventës së Palermos, që i referohet maksimumit prej të paktën katër vjetësh.
Ky zhvillim historik e pasuron argumentin. Ligjvënësi shqiptar e kishte në dispozicion teknikën e përcaktimit të kompetencës përmes një pragu dënimi dhe, kur e përdori atë, zgjodhi një prag shumë të ndryshëm nga ai i Palermos. Në zhvillimin e mëvonshëm të nenit 75/a, kompetenca u shpreh përmes listave të neneve të Kodit Penal. Kjo tregon se përzgjedhja e veprave për juridiksionin e posaçëm ishte një vendim legjislativ i ndërgjegjshëm dhe i ndryshueshëm, jo rezultat automatik i një përkufizimi ndërkombëtar.
2. Ligjvënësi shqiptar e ka trajtuar konceptin e krimeve të rënda që në vitin 2003
Më 24 korrik 2003, Kuvendi miratoi ligjin nr. 9110, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krime të rënda”. Vetë titulli i ligjit dhe emërtimi i institucioneve janë domethënës: gjykata për krime të rënda.
Neni 1 përcaktonte si qëllim rritjen e efektivitetit të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, si dhe përmirësimin e cilësisë së gjykimit të tyre. Neni 2, pika 2, parashikonte: “Gjykatat për krime të rënda dhe gjykatat e apelit për krime të rënda janë hallka të sistemit gjyqësor, që shqyrtojnë në shkallë të parë dhe të dytë krimet me rrezikshmëri të lartë, të caktuara me ligj.”
Në nenin 5, pika 1, të të njëjtit ligj, ligjvënësi e konkretizoi këtë përcaktim duke iu referuar veprave penale të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Titulli i ligjit, emërtimi i institucioneve, qëllimi i ligjit, karakterizimi i krimeve dhe kompetenca lëndore përbënin një tërësi normative të lidhur. Ligjvënësi përdori konceptin e krimeve me rrezikshmëri të lartë dhe përcaktoi shprehimisht se ato caktohen me ligj.
3. Reforma në drejtësi ruajti përcaktimin ligjor të kompetencës lëndore
Reforma kushtetuese e vitit 2016 ndryshoi arkitekturën e institucioneve të posaçme të drejtësisë penale. Në vend të gjykatave dhe prokurorisë për krime të rënda u krijuan gjykatat dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ligji nr. 95/2016 përcaktoi organizimin dhe funksionimin e institucioneve të reja; neni 8 e lidhi kompetencën lëndore parësore të gjykatave të posaçme me nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale dhe kufijtë e nenit 135, pika 2, të Kushtetutës.
Edhe pas reformës, neni 75/a vazhdoi të përmbante një listë konkrete veprash penale të kompetencës lëndore të posaçme. Ligjvënësi nuk e zëvendësoi përcaktimin ligjor të veprave penale me një kriter të përgjithshëm sipas të cilit çdo krim me dënim maksimal mbi katër vjet duhet të konsiderohet pjesë e juridiksionit të posaçëm. Përkundrazi, ruajti teknikën e identifikimit të veprave nëpërmjet dispozitave të shprehura të ligjit.
4. Neni 75/a përpara dhe pas reformës: referencat e Kodit Penal, një për një
Krahasimi i mëposhtëm vendos përballë listën e nenit 75/a në versionin e konsoliduar të vitit 2014 dhe listën e shkronjës “a” pas ndryshimeve të vitit 2021. Për të shmangur ngatërrimin, krahasimi i referohet listës së veprave, jo kompetencës sipas subjektit. Versionet e konsoliduara duhet të ballafaqohen me Fletoren Zyrtare për çdo mospërputhje të botimeve.
3.1. Lista e nenit 75/a përpara reformës (versioni 2014)
73, 74, 75, 78/a, 79/ç, 79/a, 79/b, 79/c, 109, 109/b, 110/a, 111, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 245, 260, 265/a, 265/b, 265/c, 278/a, 282/a, 283/a, 284/a, 287/a, 319, 319/ç, 333, 333/a, 334.
3.2. Lista e shkronjës “a” pas reformës (versioni pas ligjit nr. 41/2021)
230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 244/2, 244/a, 245, 245/1(2,4), 257, 258/2, 259/2, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e, 328, 328/b.
5. Dy shembuj që meritojnë vëmendje
Në Kodin Penal shqiptar ekzistojnë vepra penale për të cilat parashikohen dënime të konsiderueshme me burgim, por që nuk janë përfshirë shprehimisht në listën e kompetencës lëndore të gjykatave të posaçme, as përpara dhe as pas reformës. Shpërdorimi i detyrës, i parashikuar nga neni 248, dënohet deri në shtatë vjet burgim. Mashtrimi me pasoja të rënda, i parashikuar nga neni 143, paragrafi 3, dënohet deri në dhjetë vjet burgim.
Asnjëra prej këtyre veprave nuk është përfshirë asnjehere shprehimisht në listat përkatëse të nenit 75/a. Kjo është domethënëse për të kuptuar mënyrën si ligjvënësi shqiptar ka konceptuar juridiksionin e posaçëm. Ai nuk ka përdorur si kriter të vetëm maksimumin e dënimit, por ka bërë një përzgjedhje të shprehur të veprave penale.
6. Jurisprudenca shqiptare e ka trajtuar konceptin e krimit të rëndë
Gjykata Administrative e Apelit, në vendimin nr. 86-2018-4476, datë 08.11.2018, ka shqyrtuar shprehimisht kuptimin e konceptit “krim i rëndë”, në kontekstin e pezullimit nga detyra të prokurorëve. Në arsyetimin e saj ajo iu referua neneve 1, 29, 31 dhe 32 të Kodit Penal, si dhe neneve 13 dhe 75/a të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata u shpreh se krimet e rënda janë ato që ligjvënësi, në analizë të gjendjes së kriminalitetit dhe të politikës penale, i ka përfshirë në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda ose të asaj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe krime të tjera të juridiksionit të zakonshëm për të cilat Kodi Penal parashikon vetëm dënim me burgim mbi dhjetë vjet.
Ky vendim tregon se gjykatat shqiptare kanë zhvilluar një interpretim të konceptit të krimit të rëndë duke u mbështetur në sistemin e brendshëm të legjislacionit penal. Gjykata Administrative e Apelit iu referua edhe Konventës së Palermos, por nuk e përdori atë si zëvendësim të analizës së legjislacionit shqiptar: ajo analizoi paraprakisht llojin e veprës, natyrën e dënimit, masën e tij, kompetencën lëndore dhe përbërjen e trupit gjykues.
Vendimi nuk është vendim njësues dhe nuk trajton drejtpërdrejt nenin 228/3/c. Megjithatë, ai është referencë konkrete jurisprudenciale që duhet marrë në konsideratë në një interpretim sistematik të konceptit të krimit të rëndë.
7. Konventa e Palermos dhe kufijtë e përkufizimit të saj
Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar e përkufizon krimin serioz, në nenin 2, shkronja “b”, si një vepër penale të dënueshme me maksimum prej të paktën katër vjetësh heqjeje lirie ose me një dënim më të rëndë. Por neni 2 i kufizon shprehimisht përkufizimet “për qëllimet e kësaj Konvente”. Konventa është një instrument ndërkombëtar i hartuar për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Për këtë arsye, përdorimi i pragut katërvjeçar si kriter i përgjithshëm për interpretimin e nocionit të krimit të rëndë në të drejtën procedurale penale shqiptare kërkon një arsyetim të posaçëm. Nuk mjafton konstatimi se Konventa është ratifikuar nga Shqipëria. Duhet shpjeguar përse përkufizimi i saj duhet të përdoret për vlerësimin e kushteve të masave të sigurimit personal, kur legjislacioni shqiptar ka zhvilluar një trajtim të vetin të krimeve të rënda.
8. Pse kjo çështje ka rëndësi për lirinë personale?
Neni 228, pika 3, shkronja “c”, i Kodit të Procedurës Penale e lidh ekzistencën e një nevoje të veçantë sigurimi me rrezikun që personi të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet. Interpretimi i nocionit “krime të rënda” mund të ndikojë drejtpërdrejt në vlerësimin e kushteve për caktimin apo vazhdimin e masave të sigurimit.
Megjithëse ekzistenca e këtij rreziku nuk mjafton, në vetvete, për të justifikuar arrestin në burg, ajo mund të jetë një nga elementet mbi të cilat mbështetet vendimmarrja për kufizimin e lirisë personale. Pikërisht për këtë arsye, interpretimi duhet të jetë i qartë, i parashikueshëm dhe i argumentuar. Në një shtet të së drejtës, kufizimi i lirisë personale nuk duhet të mbështetet në përgjithësimin automatik të një përkufizimi të hartuar për një qëllim tjetër, pa shqyrtuar më parë legjislacionin vendas.
9. Përfundim: një dilemë që kërkon qartësim
Pas më shumë se dy dekadash nga krijimi i gjykatave për krime të rënda dhe afro shtatë vjetësh nga funksionimi i juridiksionit të ri të posaçëm, është e arsyeshme të kërkohet një interpretim i qartë dhe i qëndrueshëm i konceptit të krimit të rëndë në drejtësinë penale shqiptare.
Ligjvënësi shqiptar e ka trajtuar këtë koncept që në vitin 2003. Reforma e vitit 2016 ruajti përcaktimin me ligj të kompetencës lëndore të posaçme. Edhe jurisprudenca shqiptare ka dhënë interpretime që mbështeten te Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale.
Prandaj, pyetja nuk është nëse gjykatat shqiptare mund t’u referohen konventave ndërkombëtare. Natyrisht që mund t’u referohen, kur kjo është juridikisht e përshtatshme. Pyetja është përse, për një koncept që ka një histori të qartë në legjislacionin dhe jurisprudencën shqiptare, duhet kërkuar fillimisht një zgjidhje në Konventën e Palermos, në vend që të ndërtohet një interpretim i argumentuar mbi vetë të drejtën shqiptare.
Kjo është një dilemë që nuk duhet të mbetet e hapur, sidomos kur prej përgjigjes së saj mund të varet liria e individit.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.