ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Opozita kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore lidhur me trafikun ndërkombëtar të

Opozita në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur procedurat për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar. Qëllimi është të hetohen pretendimet për trafik ndërkombëtar të armëve dhe roli i mundshëm i institucioneve shtetërore.
Një kërkesë zyrtare, e mbështetur nga 39 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, i është dërguar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në të kërkohet verifikimi i ligjshmërisë së veprimeve të shtetit për parandalimin dhe zbulimin e këtyre aktiviteteve. Deputetët kërkojnë gjithashtu të squrohet nëse ekzistojnë përgjegjësi politike, administrative apo institucionale.
Shkak i drejtpërdrejtë i kësaj nisme janë deklaratat dhe materialet audio të publikuara më 7 shtator nga ish-zëvëndeskryeministri Arben Ahmetaj. Vetë nënshkruesit e kërkesës theksojnë se pretendimet e Ahmetajt nuk janë fakte të provuara, por indicie që kërkojnë një kontroll parlamentar rigoroz.
Komisioni hetimor, sipas dokumentit të opozitës, do të verifikonte pretendimet përmes dëshmive, dokumenteve zyrtare dhe kontrollit direkt të institucioneve. Në fokus do të jenë procedurat e importit, eksportit, tranzitit dhe magazinimit të armëve. Do të shqyrtohen gjithashtu licencat e lëshuara dhe kontrollet doganore, kufitare e portuale.
Hetimi do të shtrihet në periudhën nga 1 janari 2024 deri më 7 shtator 2026, edhe pse do të shqyrtohen edhe dokumente më të vjetra. Komisioni do të ketë fokus edhe komunikimet e mundshme nga funksionarë publikë që kanë ndikuar në trajtimin e këtyre çështjeve. Po ashtu do të hetohen marrëdhëniet mes subjekteve private dhe institucioneve shtetërore.
Në listën e dëshmitarëve të propozuar nga opozita janë emra të nivelit të lartë. Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ejll Nufi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Arben Kingji do të pyeten. Po ashtu edhe drejtuesja e SHISH-it Vlora Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Skënder Hita dhe Ardi Veliu nga KAYO.
Do të kërkohen informacione dhe dëshmi nga të gjitha strukturat përgjegjëse për industrinë e mbrojtjes dhe kontrollin kufitar. Para komisionit thirret të dëshmojë vetë ish-zëvëndeskryeministri Ahmetaj, si burimi i denoncimeve.
Një detyrë e rëndësishme e komisionit do të jetë verifikimi i materialeve audio të publikuara nga Ahmetaj. Do të analizohet origjina, koha e regjistrimit, integriteti teknik dhe përmbajtja e tyre në raport me dokumentacionin zyrtar.
Deputetët nënshkrues sqarojnë se hetimi parlamentar nuk përcakton përgjegjësi penale. Ai nuk zëvendëson Prokurorinë. Objekti mbetet vetëm kontrolli parlamentar dhe përcaktimi i përgjegjësive politike e institucionale.
Kujtojmë se ish-zëvëndeskryeministri Ahmetaj, në një intervistë televizive, kishte ngritur akuza për një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve. Ai përmendi biznesmenin Ron Yefet, kompaninë Timak Defense dhe atë që e cilësoi si “koncepti KAYO”. Ahmetaj pretendoi se armë nga Afrika paketohen në Shqipëri e dërgohen në vende të tjera, jashtë marrëveshjeve zyrtare me NATO-n apo furnizimit të Ukrainës.
Ish-zyrtari kritikoi financimin e kompanive të mbrojtjes përmes procedureve pa tender. Ai u ndal te Timak, që sipas tij ka marrë paradhënie nga buxheti. Ahmetaj përmendi edhe një rast të sekuestrimit të raketave nga Italia, të cilat vinin nga Greqia por mund të kishin lidhje me Shqipërinë.
Tashmë kërkesa zyrtare i ka kaluar kryetarit të Kuvendit. Ajo pritet të shqyrtohet në procedurat parlamentare për formimin e komisionit hetimor. /TCH/
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.