ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin e vitit 2027, i cili parashikon

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin e vitit 2027, i cili parashikon rritje të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, mbështetje më të madhe për politikat sociale, pensionet, shëndetësinë, arsimin dhe investimet publike. Sipas ministrit, projektbuxheti synon ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, uljen graduale të borxhit publik dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjatë prezantimit të tij, Malaj bëri të ditur se të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen në masën 907.9 miliardë lekë, ose rreth 9.4 miliardë euro, ekuivalente me 30.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas ministrit, ky programim mbështetet në rritjen ekonomike, ndikimin e inflacionit, masat e reja të paketës fiskale dhe zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave pritet të vijë nga tatimet dhe doganat, që programohen në nivelin e 583.5 miliardë lekëve, ose 46.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me pritshmëritë për vitin 2026.
Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore parashikohen në 210.3 miliardë lekë, me një rritje prej 9.1 miliardë lekësh ose 4.5% më shumë se një vit më parë.
Ministri theksoi se të ardhurat nga TVSH-ja parashikohen të arrijnë në 275.4 miliardë lekë, me një rritje prej 10.2% krahasuar me vitin 2026. Në këtë rritje ndikojnë zgjerimi ekonomik, masat e reja fiskale dhe përmirësimi i administrimit tatimor.
Po ashtu, tatimi mbi fitimin pritet të gjenerojë 62.1 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga akcizat parashikohen në 80.6 miliardë lekë, të mbështetura kryesisht nga kalendari i ri i rritjes së akcizës së produkteve të duhanit.
Një rritje e ndjeshme parashikohet edhe për tatimin mbi të ardhurat personale, që pritet të arrijë në 107.4 miliardë lekë, ose 10 miliardë lekë më shumë se në vitin 2026.
Malaj solli në vëmendje edhe ndryshimet e paketës fiskale 2027, mes të cilave ulja e pragut të regjistrimit për TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë, duke nisur nga 1 janari 2027.
Sa i përket shpenzimeve, projektbuxheti parashikon një fond total prej 976.1 miliardë lekësh, ose 33.3% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2026, shpenzimet rriten me 69.3 miliardë lekë, ose rreth 700 milionë euro.
Sipas ministrit, kjo rritje pasqyron angazhimin e qeverisë për forcimin e mbështetjes sociale, financimin e sektorëve prioritarë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
Në projektbuxhet janë parashikuar 148.5 miliardë lekë për shpenzimet e personelit, duke përfshirë edhe 3.7 miliardë lekë për politikat e reja të pagave në sektorët prioritarë.
Ndërkohë, për shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes janë planifikuar 89.2 miliardë lekë. Nga këto fonde, 12.9 miliardë lekë do të shkojnë për arsimin e lartë, 7.9 miliardë lekë për teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike, 5.3 miliardë lekë për mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin rural, si dhe 3.6 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar.
Një nga shtyllat kryesore të projektbuxhetit mbetet mbështetja sociale. Për fondet speciale janë planifikuar 313.9 miliardë lekë, ndërsa Skema e Sigurimeve Shoqërore do të financohet me 215.6 miliardë lekë.
Për indeksimin dhe politikat e reja të pensioneve janë rezervuar rreth 4 miliardë lekë, ndërsa 20 miliardë lekë do të përdoren për bonusin mujor të pensionistëve.
Në fund të vitit 2027 numri i pensionistëve pritet të arrijë në rreth 805 mijë persona, ndërsa sistemi do të mbështesë afërsisht 850 mijë përfitues.
Për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuara janë planifikuar 27.2 miliardë lekë. Gjithashtu, gjatë vitit 2027 do të nisë zbatimi i skemës së re të bonusit të bebes, me pagesa mujore për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare.
Projektbuxheti parashikon edhe 870 milionë lekë për mbështetjen e grave të papuna me tre ose më shumë fëmijë, ku njëri prej tyre është nën 5 vjeç.
Në sektorin e shëndetësisë, Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të financohet me 70.8 miliardë lekë. Fondet do të mbulojnë kujdesin parësor, rimbursimin e barnave, trajtimet spitalore dhe paketat mjekësore të specializuara.
Për vitin 2027 planifikohet financimi i rreth 7.4 milionë vizitave në kujdesin parësor, rimbursimi i barnave për rreth 400 mijë pacientë, zgjerimi i mbështetjes për të sëmurët me diabet, si dhe financimi i paketave të kardiologjisë, onkologjisë, dializës dhe fertilitetit.
Një tjetër prioritet i projektbuxhetit mbeten investimet publike, të cilat planifikohen në nivelin e 200.3 miliardë lekëve, ose 6.9% e PBB-së. Brenda këtij fondi përfshihen edhe 14.1 miliardë lekë financime të pritshme nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.
Pjesa më e madhe e investimeve kapitale do të fokusohet në projektet madhore të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, mes tyre aksi Elbasan-Lekaj, bypass-i i Elbasanit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës dhe linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.
Në arsim janë planifikuar 5.6 miliardë lekë investime, që do të mbështesin tekstet falas për 215 mijë nxënës, transportin falas për 38 mijë nxënës dhe 17 mijë mësues, si dhe bursa për rreth 4 mijë nxënës nga familjet në nevojë.
Në fund të prezantimit, ministri Malaj theksoi se projektbuxheti 2027 është në përputhje me objektivat e qeverisë për periudhën 2025-2029 dhe synon të garantojë stabilitet ekonomik, rritje të qëndrueshme, forcim institucional dhe avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë deri në vitin 2030.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.