ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Prej më shumë se 24 orësh vijon të jetë aktiv zjarri në zonën e Myselimit dhe në kodrat e Bardhajve,

Prej më shumë se 24 orësh vijon të jetë aktiv zjarri në zonën e Myselimit dhe në kodrat e Bardhajve, në Shkodër. Gazetarja e Klan News Emi Kalaja raporton se flakët po përhapen në një sipërfaqe pyjore me pisha, ndërsa era e fortë dhe terreni i thyer po vështirësojnë ndërhyrjen e mjeteve.
Situata më problematike paraqitet në Bardhaj, ku një vatër e zbritur nga kodra është afruar pranë zonës së banuar. Zef Dushi, banor i zonës, tregon se pranë banesës së tij janë djegur ullinj dhe mjete bujqësore, ndërsa apelon për ndihmë nga institucionet.
Një tjetër banor kërkon vijimin e ndërhyrjes nga ajri, duke paralajmëruar se, pa mbështetjen e helikopterit, situata mund të përkeqësohet.
Në terren janë angazhuar zjarrfikësit, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile, përfaqësues të njësive administrative Postribë dhe Rrethina, vullnetarë, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura të Repartit 1010, Vau i Dejës. Operacioni mbështetet nga autobotet e Ujësjellësit dhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.
Forcat operacionale janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, izolimin e vatrave aktive dhe frenimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Ndërkohë, shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.