ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se gjatë ditës së sotme janë raportuar 30 vatra zjarri në territorin e vendit, prej

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se të martën u identifikuan 30 vatra zjarri në të gjithë vendin. Prej tyre, 7 janë ende aktive, 10 ndodhen nën mbikëqyrje, kurse 13 janë neutralizuar plotësisht.
Për luftimin e flakëve janë mobilizuar gjithsej 404 forca operacionale nga strukturat vendore dhe lokale, së bashku me 21 automjete zjarrfikëse. Ushtria Shqiptare ka kontribuar në operacione me 133 trupa, një helikopter, dy automjete zjarrfikëse, një dron, 13 mjete të tjera dhe një autoambulancë.
Në Qarkun e Tiranës, vatra në Malin e Dajtit vazhdon të jetë aktive. Për shuarjen e saj kanë punuar 25 zjarrfikës, shtatë specialistë të ADZM-së dhe 52 ushtarë, të mbështetur nga gjashtë mjete dhe një autoambulancë. Sipas autoriteteve, nuk ekziston rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë izoluar dhe po monitorohen.
Situata vijon të jetë aktive në Qarkun e Dibrës, ku disa vatra mbeten të ndezura: në Lundrë-Madhesh të Matit, në Cerrujë-Mali i Allushit të Klosit dhe në Selishtë. Është raportuar edhe një vatër e re në Pleshë të Klosit. Zjarri në Qafën e Helmes është nën mbikëqyrje.
Në veri, në Qarkun e Shkodrës, ende aktive mbetet vatra në Porav të Fushë-Arrëzit. Zjarret në Rragam dhe në Malin e Tërbunit janë vënë nën kontroll dhe nuk rrezikojnë banesat. Vatra në Mnelë të Madhe është shuar plotësisht.
Në jug, në Qarkun e Fierit, vatra në Peshtan po monitorohet, ndërsa zjarri në Çërrilë të Mallakastërës vijon të jetë aktiv. Për këtë të fundit, janë angazhuar forcat vendore, pyjore dhe ato të mbrojtjes civile. Po ashtu, Ushtria ka dërguar një helikopter, 32 ushtarë dhe tri mjete.
Situata është më e qëndrueshme në qarqet e Lezhës, Elbasanit dhe Korçës. Raportohet se vatrat aty janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje. Në Opar të Korçës, ekipet punojnë ende në terren, por vatra klasifikohet si nën mbikëqyrje dhe nuk ka rrezik për banesa.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) thekson se po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë territorin. Koordinimi me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile është i ngushtë. Kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri dhe të angazhuara në terren, me përparësi mbrojtjen e jetëve, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.