ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit me urdhër të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtoresha e

Ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit me urdhër të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtoresha e Çerdheve dhe Kopshteve në kryeqytet, Zhaneta Beqiri.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Beqiri thekson se largimi i saj nga ky post, të cilin e mbante prej më shumë se 11 vitesh, nuk lidhet me asnjë auditim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por vjen si pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe punën e saj si drejtuese.
“Në gusht të vitit 2015 m’u besua një përgjegjësi e veçantë: kujdesi, mirërritja dhe edukimi i fëmijëve të Tiranës. Sot, pas më shumë se njëmbëdhjetë vitesh, e mbyll këtë kapitull me mirënjohje, krenari për punën e bërë dhe respekt për të gjithë bashkëpunëtorët me të cilët e ndava këtë rrugëtim. Drejtimi i një institucioni publik është, para së gjithash, përgjegjësi ndaj qytetarëve, besimi i të cilëve fitohet me punë, korrektësi, transparencë dhe ndershmëri. Gjatë këtyre viteve, me angazhim, përgjegjësi e profesionalizëm, kam punuar fort për të transformuar kulturën institucionale dhe qasjen ndaj shërbimit, në funksion të më të mirës për zhvillimin e plotë të potencialit të fëmijëve. Sot, 2.333 punonjës të DPÇK-së kujdesen çdo ditë për rreth 13.000 fëmijë, duke u ofruar një mjedis të sigurt, shërbim cilësor dhe edukim me metodologji bashkëkohore. Përtej shifrave dhe rezultateve, ajo që çmoj më shumë është marrëdhënia që kemi ndërtuar me mijëra familje të Tiranës. Falënderoj çdo prind e qytetar për besimin dhe vlerësimin ndër vite. Çdo arritje u bë e mundur falë njerëzve me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Falënderoj çdo mësuese, edukatore, ndihmëse, specialiste, punonjëse e punonjës të DPÇK-së. Ju jeni forca e vërtetë e këtij institucioni. Sqaroj për të gjithë që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH-së dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot! Largohem me bindjen se vlera e punës së një drejtuesi mbetet te standardet e vendosura dhe njerëzit që do ta çojnë punën përpara. Funksionet janë të përkohshme. Përkushtimi ndaj njerëzve dhe vlera e punës së bërë mbeten”, shkruan ajo.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.