ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Gjuha e Sali Berishës në seancën e sotme në Kuvend nuk ishte aspak surprizë për Flutura Açkën. Në një interviste

**“U kthye në SHPK”- Berisha dhe gjuha e tij në Kuvend: Açka komenton protestat, dyshon për “ndarje” të qëllimshme të flaminkove**
Gjuha e përdorur nga Sali Berisha gjatë seancës së sotme në Kuvend nuk ishte surprizë për Flutura Açkën. Në një bisedë për Report Tv, ish-deputetja thotë se pikërisht “gjuha kriminale” e kishte bërë atë të distancohej nga debatet parlamentare, kur ende ishte deputete.
“Berisha, ndoshta ky është fjalori i tij. Kështu ka bërë në mënyrë sistematike. Nuk është se ka ndonjë ndryshim shumë të madh. Megjithatë kjo më duket një çikë e tepruar. Nuk mendoj se e ka pasur me qëllimin për të ndikuar njerëz, por është ndoshta fjalori”, u shpreh ajo.
**Dyshimet për “ndarjen” të dy protestave**
Duke u ndalur te protestat, shkrimtarja e sheh me dyshim ‘ndarjen’ që ka shënuar protesta e flaminkove nga ajo e dy javëve të fundit në Tiranë, e cila u mbizotërua nga aktet e dhunshme. Të dytën e konsideron si të ndikuar politikisht nga forca të ndryshme, secila sipas qëllimeve të saj.
“Këtë ndarje në fakt e kam parë pak si me dyshim është bërë enkas sepse ka një qëllim për ta zhbërë pak, për ta shuar atë pjesën e flamingos sepse flamingo ndoshta na çoi në këtë protestën e dytë dhe t’i bësh këtë ndarje të këtyre dy protestave vetëm sepse duke shkuar vetëm te protesta e dytë ti në fakt e zvogëlon të gjithën dhe nuk e pranon të dyja pjesët dhe anën paqësore të saj dhe anën e dhunshme të saj se s’ke dëshirë t’i vësh një baraspeshë dhe ke qejf vetëm të shohësh anën e vogël të gjës dhe kjo më duket pak edhe e qëllimtë dhe e shoh që vjen nga të dyja nga të dyja partitë”, tha Açka.
**Dhuna dhe përgjegjësia e PD**
E pyetur për deklaratën e Sali Berishës, sipas të cilës të rinjtë demokratë ishin ata që e iniciuan dhunën në protesta, shkrimtarja theksoi se lideri i PD duhet ta pranojë këtë gjë.
“Në qoftë se është PD duhet të marrë përsipër edhe pjesën e dhunshme të kësaj, nëse është kështu”, shtoi ajo.
**“Pika e vlimit” dhe lodhja me opozitën**
Në analizën e saj, reagimi i protestës rrjedh nga një lodhje e qytetarëve me detyrat e papërmbushura të PD si opozitë, si dhe nga mos-ripërtëritja e partisë. Sipas Açkës, ky ka qenë momenti që i detyroi ata të zëvendësojnë opozitën në njëfarë mënyre.
“Pika e vlimit mbërriti kur shqiptarët pritën që Partia Demokratike do të merrte përsipër detyrën e opozitës. Po kur panë që në fakt vetëm kishte hyrë në një proces riciklimi dhe s’kishte ndërmend të ndryshojë, u kthye nga Partia Demokratike e tyre, u kthye në një SHPK në një farë mënyre, atëherë aty si duket aty i humbi dhe shpresa. A thanë po qe puna për të tillë opozitë që nuk ka dëshirë të jetë demokratike, që nuk ka dëshirë të marrë përsipër fatet e atdheut, s’ka dëshirë që të jetë në pushtet, atëherë më mirë po bëhemi ne opozitë. Si mund ta bëjë Partia Demokratike këtë duke nisur që nga largimi i kryedemokratit. E ka pasur shumë të lehtë Berisha e ka pasur shumë të lehtë. Berisha ka vendin e tij në Partinë Demokratike. Nuk e diskuton njeri fare këtë gjë. Mund ta fute Partinë Demokratike në një proces, por duke menduar që vetëm unë jam dhe s’ka njeri tjetër se ky është problemi i pushteteve shqiptare”, përfundoi Açka.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.