ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të mërkurë ekstradimin drejt Turqisë të aktivistes turke Julide Yazici, 32 vjeç, e arrestuar

Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të mërkurë ekstradimin drejt Turqisë të aktivistes turke Julide Yazici, 32 vjeç, e arrestuar në Rinas në fillim të muajit gusht.
Ajo është dënuar nga drejtësia turke për lidhje me një organizatë terroriste, por thotë se përndiqet politikisht për shkak të qëndrimeve të saj kundër presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
32 vjeçarja u arrestua në fillim të gushtit në aeroportin e Rinasit teksa udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë. Gjatë kontrolleve në pikën kufitare rezultoi se ishte shpallur në kërkim nga zyra e Interpol në Ankara.
Sipas autoriteteve turke, Yazici është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Stamboll me 4 vite e 2 muaj burgim për veprat penale “Dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Nga ky dënim, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burg.
Yazici, me profesion mësuese dhe aktiviste në mbështetje të të drejtave të kurdëve, ka përfituar azil politik në Francë. Gjatë seancave gjyqësore në Shqipëri, ajo ka kundërshtuar ekstradimin, duke pretenduar se është viktimë e përndjekjes politike për shkak të qëndrimeve të saj kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
32-vjeçarja ka deklaruar se kthimi në Turqi do t’i rrezikonte jetën, qëndrim që është mbështetur edhe nga avokatët e saj.
Ata argumentojnë se dënimi i saj lidhet me faktin se kishte strehuar për një natë një kundërshtar të qeverisjes së Erdoganit, me kërkesën e një mikeshës së saj. Yazici ka marrë pjesë edhe në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve dhe kundër qeverisë turke.
Ajo ka vuajtur disa muaj burg në Turqi dhe më pas është larguar drejt Francës, ku ka marrë statusin e refugjates politike.
Më 21 gusht, Gjykata e Apelit në Shqipëri la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 32-vjeçares, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për një masë më të lehtë sigurie.
Avokati i saj, Artan Shllaku, kishte kërkuar zëvendësimin e masës me arrest shtëpie, por kërkesa nuk u pranua.
Dy muaj pas këtij vendimi, Gjykata e Tiranës ka vendosur ekstradimin e saj drejt Turqisë, pavarësisht pretendimeve të aktivistes se atje përballet me përndjekje politike dhe se jeta e saj mund të jetë në rrezik.
Vendimet e ekstradimet marrin formë të prerë në Gjykatën e Lartë.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.