ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Një tren mallrash doli nga shinat të shtunën në mëngjes pranë stacionit hekurudhor Meja, në Kroaci, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun përfundimtar të ngjarjes. Treni i kompanisë private Tra

Një tren mallrash doli nga shinat të shtunën në mëngjes pranë stacionit hekurudhor Meja, në Kroaci, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun përfundimtar të ngjarjes.
Treni i kompanisë private Transagent po transportonte drithëra në drejtim të Rekës, kur rreth orës 9:25 ndodhi aksidenti. Sipas informacioneve fillestare, drejtuesi i trenit kishte njoftuar dispeçerin se frenat kishin dështuar dhe se nuk po arrinte ta ndalte trenin.
Si pasojë, 11 vagonë dolën nga shinat dhe përfunduan në një humnerë, ndërsa lokomotiva dhe dy vagonë të tjerë mbetën në stacionin hekurudhor.
Aksidenti shkaktoi ndërprerjen e qarkullimit hekurudhor në këtë pjesë të linjës. Për udhëtarët është organizuar transport zëvendësues me autobusë, ndërsa trenat vazhdojnë të qarkullojnë normalisht në pjesët e tjera të linjës.
Kryetari i bordit drejtues të kompanisë HŽ Infrastruktura, Damir Lonçariq, deklaroi se ende nuk dihet se kur do të rifillojë qarkullimi normal. Ai u bëri thirrje operatorëve hekurudhorë që të kontrollojnë më me kujdes gjendjen teknike të lokomotivave dhe vagonëve, veçanërisht atyre në pronësi të kompanive private.
Lonçariq theksoi se, nëse konfirmohet se aksidenti është shkaktuar nga një problem me frenat, atëherë duhet të shqyrtohet mundësia që problemi të mos ketë lidhje me infrastrukturën hekurudhore.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Drejtuesve të Trenave të Kroacisë, Nenad Mrgan, kritikoi ashpër kompaninë Transagent, duke ngritur shqetësime për sigurinë teknike të vagonëve të saj.
“Drejtues i papërgjegjshëm, kompani e papërgjegjshme Transagent. Kjo u ndodh për të dytin vit radhazi. Fakt është se problemi qëndron te vagonët”, deklaroi Mrgan.
Ai tha se sindikata kishte paralajmëruar më herët për shqetësimet që lidhen me sigurinë e vagonëve dhe se kishte kërkuar që mjete të tilla të mos përdoreshin derisa të sigurohej se ishin të përshtatshme për qarkullim.
Sipas tij, shqetësimet ishin përcjellë edhe te institucionet përgjegjëse.
Ky nuk është aksidenti i parë i këtij lloji në atë zonë. Lonçariq kujtoi se para rreth tre vjetësh kishte ndodhur një tjetër aksident hekurudhor pothuajse në të njëjtin vend. Në të dyja rastet, trenat u përkisnin operatorëve privatë.
Shkaqet e aksidentit të fundit pritet të përcaktohen nga hetimet, ndërsa deri atëherë nuk është konfirmuar zyrtarisht përgjegjësia e drejtuesit apo e kompanisë. /ABC24.AL/
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.