ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u ka përcjellë një mesazh sigurie qytetarëve shqiptarë lidhur me depozitat e tyre

**Depozitat e qytetarëve janë të sigurta, garanton Sejko pas tensioneve dhe dëmtimeve të bankomateve**
Garancinë për kursimet e shqiptarëve e dha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Sipas tij, pavarësisht tensioneve në vend dhe incidenteve të regjistruara me disa bankomate gjatë protestave, sistemi bankar dhe ai financiar vazhdon të punojë normalisht. Bankat paraqiten të mirëkapitalizuara, me nivele të mira likuiditeti.
Këto deklarata u bënë gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri. Aty Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka vijuar të ushtrojë të gjitha funksionet e saj operacionale. Vëmendje e veçantë iu kushtua sistemit të pagesave dhe qarkullimit të parasë fizike, me qëllim që shërbimet financiare të mos ndërpriten për qytetarët dhe bizneset.
“Ne si Bankë e Shqipërisë i kemi pasur në funksionim të gjitha sistemet tona operacionale, përfshirë sistemin e pagesave dhe qarkullimin e parasë fizike, pasi fokusin kryesor e kemi pasur pikërisht te këto funksione operacionale. Edhe funksionet e tjera kemi vijuar t’i kryejmë normalisht, si në çdo kohë”, deklaroi guvernatori.
Mesazhi kryesor për publikun ishte i qartë: nuk ka vend për shqetësim. Edhe pse presioni mbi sektorin bankar e financiar është rritur, gjendja e bankave dhe kapacitetet e tyre financiare krijojnë kushtet për vijimin normal të aktivitetit, vlerësoi ai.
“Ajo që kemi dashur të theksojmë është se, pavarësisht tensionit dhe presionit në sistemin bankar dhe financiar, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë të mirëkapitalizuara dhe kanë një likuiditet shumë të mirë”, u shpreh Sejko.
Kreu i bankës qendrore ndaloi më pas te rëndësia e ruajtjes së funksionimit të këtij sektori. Përmes sistemit bankar kryhen pagesat, mbështeten bizneset dhe qarkullon paraja në ekonomi. Prandaj, theksoi ai, operativiteti i tij i pandërprerë është thelbësor për jetën e përditshme të njerëzve.
Sipas Sejkos, çdo cenim i sistemit bankar e financiar do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset. Vështirësitë do të shfaqeshin shpejt në funksionimin e përditshëm të ekonomisë. Ndaj, vijoi ai, veprimtaria e këtij sektori duhet të mbetet pa ndërprerje edhe në situata të tensionuara.
“Sistemi bankar është në funksion të qytetarëve dhe bizneseve. Cenimi i sistemit bankar dhe i sistemit financiar i dëmton drejtpërdrejt bizneset dhe qytetarët, si dhe krijon problematika që kanë të bëjnë me jetën e gjithkujt. Prandaj, ne duam që ky sistem dhe kjo industri të vijojnë pa ndërprerje operativitetin, sepse, në të kundërt, pasojat do të ishin negative”, përfundoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.