ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka renditur katër çështjet kryesore që duhet të trajtohen në kuadër

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka renditur katër çështjet kryesore që duhet të trajtohen në kuadër të Reformës Zgjedhore, duke i bërë thirrje opozitës të rikthehet në bashkëpunimin parlamentar.
Balla përmendi depolitizimin e komisioneve zgjedhore, rregullimin e mbulimit mediatik gjatë fushatave, përfshirjen e administratës në proceset zgjedhore dhe financimin e partive politike.
Duke u ndalur te depolitizimi i komisioneve zgjedhore, Balla rikujtoi formulën e diskutuar në vitin 2020, e cila parashikonte një shumicë anëtarësh jashtë përfaqësimit politik.
“Në verën e vitit 2020 kemi qenë pranë një hapi që do të çonte drejt depolitizimit, me formulën e tre anëtarëve që të vijnë jashtë propozimeve politike dhe një përfaqësuesi politik. Të gjitha palët kërkojnë garanci, ku duhet një shumicë që të vijë nga jashtë politikës. Nuk mund të ketë secila palë nga një përfaqësues, por le të hedhim një hap të madh drejt një depolitizimi të pjesshëm”, u shpreh Balla.
Një tjetër çështje ku ai kërkoi dakordësi është përfshirja e administratës në zgjedhje. Sipas Ballës, kjo problematikë duhet të adresohet përmes ndryshimeve ligjore, në bashkëpunim me opozitën.
“Nëse opozita nuk do ta adresojë së bashku me ne me ligj, për zgjedhjet e 9 majit qeveria do të ndërhyjë me akte nënligjore, VKM apo udhëzime”, paralajmëroi ai.
Për dy blloqet e tjera, Balla përmendi nevojën për rregullimin e kohës televizive, transmetimeve dhe spoteve elektorale, si dhe financimin e partive politike.
“Ftesa ime për ta është të ndërpresim bojkotin e jetës parlamentare”, përfundoi fjalën e tij Balla.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.