ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Pržno të Malit të Zi.
Ministri Hoxha rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për një Ballkan Perëndimor më të sigurt, më konkurrues dhe më të ndërlidhur. Për Ministrin e Jashtëm, siguria e Ballkanit Perëndimor dhe siguria e Evropës janë të pandashme.
“Në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik, përgjigjja ndaj sfidave tona të përbashkëta qëndron te bashkëpunimi më i fortë, uniteti më i madh dhe një Evropë më e qëndrueshme dhe më e aftë për t’u përballur me sfidat. Dhe për ne, kjo ka një emër: zgjerimi. Jo si një favor apo shpërblim, por si një proces i bazuar në merita dhe i mbështetur në reforma kuptimplota e me ndikim, duke qenë njëkohësisht një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës”, tha Hoxha.
Ministri rikujtoi se një nga mësimet më të rëndësishme të Procesit të Berlinit është se integrimi evropian fillon në shtëpi, shumë përpara anëtarësimit.
“Ai përparon përmes bashkëpunimit praktik, lëvizshmërisë dhe kontakteve mes njerëzve, njohjes së ndërsjellë të diplomave, ndërlidhjes dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, pra, përmes arritjeve konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve, thellojnë lidhjet rajonale dhe i afrojnë gjithnjë e më shumë shoqëritë tona me Bashkimin Evropian”, përfundoi Hoxha.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.