ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Në 31-vjetorin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës, djali i tij, Ardian Hoxha, ka dalë me një deklaratë të

Njëzet e një tetori 1995 mbetet data që familja Hoxha nuk e harron dot. Tri dekada më vonë, Ardian Hoxha kërkon ende të njëjtën gjë: eshtrat e babait të tij.
Me rastin e 31-vjetorit të rrëmbimit, i biri i Remzi Hoxhës shpërndau nga Prishtina një deklaratë në emër të familjes. Aty ai nuk kursen askënd. Ish-presidenti Sali Berisha akuzohet për përgjegjësi politike në ngjarjen e vitit 1995, ndërsa kryeministri Edi Rama kritikohet për mungesë veprimesh konkrete në gjetjen e trupit.
Sipas deklaratës, më 21 tetor 1995 Remzi Hoxha u mor me forcë nga vendi i punës në Tiranë. Autorët, sipas familjes, ishin persona të lidhur me Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK). Trupi i tij nuk është gjetur kurrë.
Për Ardian Hoxhën, shteti shqiptar e di të vërtetën prej kohësh. "Më 21 tetor 1995, babai im, Remzi Hoxha, u rrëmbye nga vendi i tij i punës në mes të Tiranës, në pikë të ditës, nga njerëzit e SHIK-ut të Sali Berishës. U torturua, u vra dhe trupi i tij u zhduk. Këtë e ka thënë gjykata shqiptare me vendim të prerë. Pra shteti e di kush e mori, kush e torturoi dhe kush e vrau. Vetëm një gjë nuk na e thotë prej 31 vitesh: ku e kanë lënë", shprehet ai.
Familja e konsideron Berishën përgjegjës për fatin e të afërmit të tyre. Por kritikat nuk ndalen te ish-presidenti.
Në qendër të tyre është edhe qeveria aktuale. Ardian Hoxha pohon se ndër vite janë dorëzuar dosje dhe informacione, por askush nuk i ka kthyer ato në veprime. Sipas tij, ekzekutivi i Edi Ramës nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm për të zbardhur se ku ndodhet trupi.
"Edi Rama e udhëheq Shqipërinë prej 13 vitesh, i kemi dërguar dosje dhe emra, dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje që të gjenden eshtrat e babait tim. Kur ke në dorë gjithë shtetin dhe nuk do ta zgjidhësh një rast që e ka vërtetuar vetë gjykata jote, nuk je më dëshmitar i krimit. Bëhesh pjesë e tij", deklaron Hoxha.
Ai mohon çdo kërkesë për hakmarrje ose përfitim politik. Kërkesa e familjes, thotë ai, është thjesht njerëzore. "Nuk kërkojmë as dënimin e askujt dhe as hak për gjakun e babait tim. Kërkojmë vetëm eshtrat e tij, që t'ia bëjmë një varr dhe të vazhdojmë jetën tonë. A mos vallë është shumë kjo që kërkojmë?", shprehet ai.
Në fund të deklaratës, familja i drejtohet me emra konkretë institucioneve: qeverisë shqiptare, Kryeministrisë, Prokurorisë dhe SPAK-ut. Kërkohet hapja e arkivave të ish-SHIK-ut. Kërkohet gjithashtu rifillimi i kërkimeve për trupin e Remzi Hoxhës dhe marrja në pyetje e atyre që kanë shërbyer në strukturat e atëhershme të shërbimit sekret.
Një apel të veçantë familja u bën edhe personave që mund të dinë ku ndodhen eshtrat. Mesazhi është i qartë: të flasin, qoftë edhe duke ruajtur anonimatin.
Ardian Hoxha nuk fsheh zhgënjimin ndaj shtetit. Të njëjtin hapësirë, megjithatë, ai ia kushton mirënjohjes për qytetarët që i kanë qëndruar pranë familjes gjatë tri dekadave.
"Kemi 31 vjet që jemi djemtë dhe vajzat e një njeriu të zhdukur. Dua të jemi më në fund djemtë dhe vajzat e një njeriu të varrosur. Shqipëri, uroj të mos na shohësh si bij njerke, por si bijtë e Shqipërisë mëmë", përfundon deklarata e Ardian Hoxhës.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.