ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Sipas një investigimi të publikuar nga The New York Times, Kina dyshohet se ka spiunuar Jensen Huang, drejtorin ekzekutiv të

**Skandali i ri: Kina dyshohet se spiunoi kreun e Nvidia-s, Trump e dinte por zgjodhi të heshtte**
Donald Trump ishte njoftuar për çështje, por nuk ndërhyri. Kështu e përshkruan The New York Times një investigim në të cilin Kina dyshohet se ka spiunuar Jensen Huangin, drejtorin ekzekutiv të gjigantit amerikan Nvidia. Sipas gazetës, presidenti e ka ditur, por ka heshtur nga frika se një reagim mund të dëmtojë shitjet e çipave drejt Pekinit.
Qendër të hetimit zë Alice Huang, drejtuesja e kompanisë Megaspeed me bazë në Singapor. Autoritetet amerikane dyshojnë se ajo mund të ketë lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës.
CIA e vendosi nën mbikëqyrje, pasi lindën dyshime se mund të ndihmonte në dërgimin e çipave të avancuar të Nvidia-s drejt Kinës, duke anashkaluar kufizimet amerikane.
Hetuesit besojnë se ajo ka krijuar një marrëdhënie të afërt me Jensen Huangin. Kjo ka ngritur shqetësime për mundësinë e rrjedhjes së informacioneve të ndjeshme, si mbi kompaninë, ashtu edhe mbi strategjinë e administratës amerikane ndaj Pekinit.
Nga qershori 2024 deri në shkurt 2026, Megaspeed dhe bizneset e lidhura me të kanë blerë pajisje me vlerë të paktën 4.8 miliardë dollarë. Autoritetet dyshojnë se një pjesë e çipave mund të jetë transferuar në mënyrë të paligjshme në Kinë. Vetë Megaspeed ofron kapacitete kompjuterike për kompani kineze, ndër to edhe Alibaba-n.
Sipas The New York Times, Trump u njoftua për rezultatet e hetimit rreth një vit më parë. Por vendosi të mos vepronte, që të mos rrezikonte interesat ekonomike të Nvidia-s dhe marrëdhëniet tregtare me Kinën.
Nvidia i ka hedhur poshtë dyshimet. Sipas kompanisë, Megaspeed thjesht është një klient si shumë të tjerë, ndërsa kontaktet e Jensen Huangin me drejtuesen kanë qenë normale. Alice Huang nuk ka dhënë komente, kurse Pekini i ka cilësuar akuzat si shpifje.
Hetimi mbetet i hapur. Ende nuk është sqaruar nëse janë transmetuar informacione sekrete apo nëse do të ngrihen akuza konkrete.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.