ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Pas 2 ditësh në luftë për jetën, ka ndërruar jetë edhe shqiptari i dytë i plagosur nga shpërthimi në rafinerinë

Dorian Hysa nuk mundi të mbijetojë. 50-vjeçari ndërroi jetë pas dy ditësh në betejë me plagët e rënda të marra nga shpërthimi në rafinerinë “Motor Oil” në Greqi. Emri dhe fotografia e tij u publikuan nga Top Channel. Ai kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë. I njëjti aksident i mori jetën më 9 tetor edhe kolegut të tij 43-vjeçar.
Sipas mediave greke, Hysa u nda nga jeta pak para orës 13:00 të së dielës. Ndodhej i intubuar në spitalin “Thriasio” të Elefsinës. Gjendja e tij paraqitej jashtëzakonisht e rëndë.
Hetimet për tragjedinë janë zgjeruar. Numri i të arrestuarve ka shkuar në katër. Përveç kontraktorit 59-vjeçar të kompanisë së jashtme, në pranga kanë rënë edhe tre persona të tjerë. Bëhet fjalë për përgjegjësin e punimeve 36 vjeç, drejtuesin e Departamentit të Shëndetit dhe Sigurisë 50 vjeç dhe operatorin e projektit 34 vjeç.
Autoritetet greke po verifikojnë nëse masat e sigurisë u respektuan gjatë mirëmbajtjes. Punimet kryheshin në rafinerinë e Agioi Theodoroi, pranë Korinthit.
Shpërthimi ndodhi paraditen e së premtes, më 9 tetor, në rafinerinë “Motor Oil”. Dy punëtorët shqiptarë, 43 dhe 50 vjeç, ishin pjesë e një kompanie kontraktore të jashtme. Ata po kryenin punime mirëmbajtjeje.
Gjatë ndërhyrjes te shkëmbyesit e nxehtësisë së njësisë U-607, një kapak metalik u shkëput papritur. Shkak u bë çlirimi i gazit nën presion. Nuk pati ndezje apo zjarr. Të dy shqiptarët morën plagë të rënda, kryesisht në kokë. Një punëtor i tretë u lëndua lehtë dhe pati vështirësi në frymëmarrje.
Të plagosurit u dërguan fillimisht në spitalin e Korinthit. Më pas u transferuan në “Thriasio” të Elefsinës. 43-vjeçari humbi jetën po atë ditë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. Dorian Hysa qëndroi i intubuar në terapi intensive deri të dielën, kur ndërroi jetë edhe ai.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.