ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu pranoi sot në Kuvend përgjegjësinë e procesit ligjvënës për mosrespektimin e afatit të 31 korrikut

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot para deputetëve se organi ligjvënës nuk arriti të përfundojë në kohë punën e tij, duke kaluar afatin e 31 korrikut për miratimin e pagave të magjistratëve. Megjithatë, ai theksoi se një vonesë administrative nuk mund të shërbejë si justifikim për ndryshim të parimeve themelore të shtetit.
“Kuvendi kaloi afatin. Këtë e pranoj dhe nuk mund ta mohoj. Por, vonesa është vetëm shkelje e një kalendari. Përgjigja ndaj kësaj nuk mund të jetë thyerje e ndarjes së pushteteve,” u shpreh Gogu gjatë fjalimit të tij.
Ai drejtoi vëmendjen drejt thelbit kushtetues të çështjes, duke thënë se diskutimi real nuk duhet të përqendrohet tek shifra e pagesës.
“Pyetja e rëndësishme nuk është se sa duhet të fitojë një gjyqtar. Pyetja është se kush ka autoritetin ta përcaktojë atë shumë. Dhe përgjigjen e jep vetë ligji, i cili kërkohet të zbatohet: paga vendoset me act normativ,” sqaroi ministri.
Sipas tij, pasiviteti i parlamentit nuk krijon mundësi për transferim kompetencash tek ekzekutivi apo institucione të tjera.
“Një zbrazëti ligjore, sado e shkaktuar nga ne, nuk është një fushë e lirë që mund ta zërë kushdo i pari. Mjeti i duhur është që Kuvendi të plotësojë detyrën e vet, jo që struktura kushtetuese të ndryshohet sipas rastit,” argumentoi Gogu.
Ministri shmangu ndërhyrjen në debatin për shumat specifike, duke ia lënë detyrën Ministrisë së Financave për të sjellë analizën e kostove.
“Nuk kam ardhur këtu të mbroj një numër konkret. Matricën, metodologjinë dhe buxhetin i përgatit dikasteri i Financave. Përgjegjësia ime është të garantooj që çdo zgjidhje të jetë në përputhje me Kushtetutën, e qëndrueshme dhe e zbatueshme,” pohoi ai.
Gjithashtu, ministri bëri thirrje që mosmarrëveshja politike për këtë çështje të mos ketë pasoja negative mbi stafin mbështetës në sistemin gjyqësor.
“Sekretarja, arkivisti apo specialisti financiar nuk janë pjesë e këtij konflikti. Toa nuk duhet të jenë peng i kësaj çështjeje,” deklaroi Gogu.
Në përmbyllje, ai e vendosi problemin në një kontekst më të gjerë të reformës, duke këmbëngulur se pavarësia e çdo pushteti duhet të balancohet me mekanizma të forta kontrolli.
“Kjo vlen për të gjithë, edhe për ne: pavarësia pa përgjegjësi shpie drejt arbitraritetit. Tre vendime të Gjykatës Kushtetuese për të njëjtin nen në pak vite nuk janë rastësi. Janë një sinjal i qartë,” u shpreh ministri.
“Ky projektligj zgjidh një nevojë të menjëhershme. Nuk ndërton një mekanizëm afatgjatë. Sistemin duhet ta ndërtojmë së bashku. Aktet e Kushtetueses janë të detyrueshme. Dhe zbatohen, edhe kur kushtojnë,” përfundoi kryeinsitucionali i Drejtësisë.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.